Forcat izraelite kanë vrarë të paktën 12 persona në Gaza që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës duke përfshirë 1 nënë se bashku me foshnjën e saj 6 muajshe, si dhe 4 fëmijë të tjerë.
Qindra njerëz në disa qytete në Gaza zhvilluan protestën më të madhe kundër Hamasit që nga fillimi i luftës me Izraelin, duke dalë në rrugë për të kërkuar largimin e grupit nga pushteti. Ata mbanin pankarta me sloganin, “Ne refuzojmë të vdesim” dhe “Ndaloni luftën”.
Videot e shpërndara gjerësisht në mediat sociale nga aktivistë që zakonisht kritikojnë Hamasin, treguan të rinj që marshonin nëpër rrugët e Beit Lahia, Gazën veriore duke brohoritur “jashtë, jashtë, jashtë, Hamasi jashtë”.
Mbështetësit e pro-Hamasit mbrojtën grupin, minimizuan rëndësinë e demonstratave dhe akuzuan pjesëmarrësit si tradhtarë. Protestat në Gazën veriore erdhën ushtria izraelite mori vendim për të evakuuar pjesë të mëdha të Beit Lahia, gjë që shkaktoi zemërim në zonë.
Ndërkaq ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka deklaruar se Izraeli do të marrë më shumë territor në Gaza dhe do të luftojë derisa Hamasi të zhduket nëse grupi militant palestinez vazhdon të refuzojë të lirojë pengjet e mbetura.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se objektivi i fushatës së re është të detyrojë militantët islamikë të lirojnë pengjet e mbetura. Hamasi mban ende 59 pengje, me 24 që mendohet se janë ende gjallë. Pjesa tjetër janë liruar, ose trupat e tyre janë dorëzuar, në shkëmbime të negociuara.
Nga ana tjetër, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe presidenti amerikan Donald Trump diskutuan në një bisedë telefonike përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gaza.
Në bisedën e tij telefonike me Trump, presidenti i Emirateve kërkoi gjithashtu vënien në dispozicion të ndihmës për banorët e Gazës, si dhe mbështetjen e zgjidhjes me dy shtete. Në fillim të shkurtit, Trump prezantoi planin e tij për Gazën, i cili përfshinte zhvendosjen e palestinezëve dhe krijimin e një “riviere” të Lindjes së Mesme, që tërhoqi dënime nga shumë liderë globalë.
Shtetet arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, miratuan një plan alternativ egjiptian rindërtimi për Gazën që do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve.