Zyra e sherifit Broward ka njoftuar për të paktën 14 viktima pas të shtënave me armë zjarri në shkollën Stoneman Douglas në Florida. Një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme në Parkland të Floridas.
Kjo zyrë ka njoftuar se sulmuesi është në paraburgim, mirëpo ngjarja është ende në zhvillim. Po ashtu është njoftuar se sulmuesi nuk është nxënës aktual i shkollës.
Një bashkëpunëtor lokal i Fox News ka raportuar se janë parë disa persona duke u trajtuar jashtë objektit të shkollës nga lëndimet e marra.
Në një video nga helikopteri është parë se policia e armatosur ka rrethuar zonën e ndërtesës.
Departamenti i policisë përmes një njoftimi në Twitter ka treguar disa udhëzime për mësuesit dhe nxënësit se si “të izolohen derisa policia t’i arrijë ata”.
Televizionet amerikane kanë raportuar edhe se një numër i prindërve janë mbledhur jashtë zonës së rrethuar nga policia.
“Presidenti është njoftuar për të shtënat në shkollën në Florida”, ka thënë zëvëndës-sekretarja për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Lindsay Walters.
“Jemi duke e vëzhguar situatën. Lutjet tona janë me të prekurit”, ka thënë ajo.