Sulmet ruse me dronë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, kanë lënë të plagosur të paktën 47 persona, thanë zyrtarët lokalë.
Pas sulmeve në Harkiv, presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky, bëri thirrje për mbështetje më të fuqishme dhe më vendimtare nga aleatët e shtetit të tij.
Të shtunën, Forcat Ajrore ukrainase thanë se Rusia ka sulmuar me 183 dronë gjatë natës. Nga këta dronë, 77 u rrëzuan, ndërkaq 73 të tjerë humbën nga radari, me gjasë për shkak të pajisjeve elektronike. Sipas Ukrainës, Rusia – që ka nisur pushtimin e shtetit fqinj tre vjet më parë – po ashtu ka sulmuar me dy raketa balistike.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kanë rrëzuar 170 dronë ukrainas gjatë natës. Kjo ministri tha se tetë raketa lundruese dhe tri të llojeve tjera u rrëzuan po ashtu.
Në jug të Rusisë, katër persona u plagosën gjatë një sulmi me dronë gjatë natës në Novorosijsk, sipas autoriteteve lokale.