Shërbimet britanike të sigurisë kanë zbuluar një rrjet të gjerë spiunësh rusë dhe njësi të inteligjencës ushtarake të përfshira në një fushatë disa-vjeçare sulmesh kibernetike, zjarrvëniesh dhe sabotimesh në Britani dhe në Evropë.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy deklaroi se “spiunët e GRU-së po udhëheqin një fushatë për destabilizimin e Evropës, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të rrezikuar sigurinë e qytetarëve britanikë”.
Ai shtoi se Rusia ka shënjestruar gjithashtu mediat, ofruesit e telekomunikacionit, infrastrukturën energjetike dhe institucionet politike e demokratike, sipas The Times.
Këtë muaj, tre persona u shpallën fajtorë për një sulm dhe zjarrvënie ndaj një biznesi në Londër të lidhur me Ukrainën, që sipas policisë ishte kryer me urdhër të grupit mercenar Wagner.
Ministria e Jashtme britanike tha se njësitë e sanksionuara të GRU-së kanë “aftësi të njohura kibernetike”.
Ato përfshijnë Njësinë 26165 dhe 74455, të cilat përfaqësojnë një kapacitet të avancuar për operacione kibernetike me qëllime ushtarake dhe politike, si dhe Njësinë 29155, e njohur si Qendra e Trajnimit Specialistik 161, që kryen operacione kundër Ukrainës, partnerëve evropianë dhe aleatëve të NATO-s.
Disa nga sulmet e dokumentuara përfshijnë:
-
Një sulm kibernetik ndaj qeverisë së Estonisë në vitin 2020;
-
Ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2017;
-
Sulme ndaj Lojërave Olimpike të Parisit 2024;
-
Ndihmë për goditjet me raketa ndaj qytetit ukrainas Mariupol, përfshirë atë ndaj teatrit ku u vranë qindra civilë, përfshirë fëmijë.
Në Britani, Rusia akuzohet gjithashtu për ndërhyrje në institucionet demokratike, furnizimin me energji dhe sektorët e komunikimit.
Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, pjesë e GCHQ-së, zbuloi gjithashtu se grupi APT28 (i njohur si “Fancy Bear”), pjesë e GRU-së, ka përdorur programe të reja të dëmshme për të spiunuar përmes llogarive të email-it të viktimave.
Moska i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe duke pohuar se Rusia nuk përbën kërcënim për Britaninë.