Presidenti Ilir Meta doli sërish sot përpara gazetarëve, ku denoncoi atë që e quan grusht shteti, që eksponentë të lartë të mazhorancës po ndërmarrin ndaj Reformës në Drejtësi.
Kreu i shtetit u ndal tek iniciativa e deputetëve për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku tha se autor i saj është Këshilli i Ministrave. Sipas Metës, Rama është ideatori, organizatori dhe frymëzuaesi i puçit të shtetit dhe do të mbajë përgjegjësi para popullit dhe drejtësisë së re.
“Vazhdojmë me prova të reja për përpjekjen e gjysmë parlamentit për të hedhur hapin final, të kurorëzimit të grushtit të shtetit. Ju e dini që gjoja është marrë një iniciativë e gjoja deputetëve të pavarur, por dokumentet që kemi tregojnë se është zbatim i programit politik të Këshillit të Ministrave.
Pra e kanë marrë nga Don Doni, direkt dhe vetëm kanë ndryshuar emrin, Kuvendi i Shqipërisë me të qeverisë. Provë tjetër që Edi Rama është organizatori, ideatori, frymëzuesi i këtij puç shteti dhe ai do të jetë përgjegjësi i parë dhe i drejtpërdrejtë para popullit shqiptar dhe drejtësisë së re që do të vijë pas triumfit të grushtit të shtetit”, u shpreh Meta.
Sipas kreut të shtetit, parlamenti ka gënjyer dhe mashtruar. Për këtë solli përgjigjet e kryetarit të KED, Ardjan Dvorani dhe drejtuesit të Shkollës së Magjistraturës, Sadushi, që nuk kanë dhënë asnjë mendim për këtë çështje.
“Gjysmë parlamenti në relacionin e tij, që si gjithmonë shquhet për gënjeshtra dhe mashtrime thotë se kjo nismë për të bërë ceremonitë e betimit nëpër kafene dhe buzë Lanës ka marrë dhe aprovimin e KLP, KLGJ, KED-s, fondacionit Soros, Respublica-s dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Të gjitha këto që ua bëmë të ditura herën e kaluar përgënjeshtrohen nga vetë Dvorani, që nuk ka dhënë asnjë mendim të tij, as personal dhe aq më tepër në emër të KED në mbështetje të këtij grushti shteti.
Unë nuk kam gjë tjetër veçse ta duartrokas. Kur një njeri vepron me transparencën nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta duartrokas. Këtu kemi një dokument tjetër të deledeputetëve që dhunojë dhe përdhunojnë Kushtetutën e popullit shqiptar ku thotë që Shkolla e Magjistraturës nuk ka dhënë opinion për këtë ligj fare. Falenderoj dhe zotin Sadushi për transparencën e tij”, tha Meta.
Ndërkohë që kur u pyet për zyrtarët e lartë që janë përfshirë në grusht shteti, presidenti nuk nguroi që të thoshte se në krye të tyre qendron Edi Rama.
Meta solli në vëmendje dhe një konstatim të Komitetit të Helsinkit, të cilët shprehen se ligjet që kalojnë në Kuvend, duhet ti nënshtrohen konsultimit me presidentit.
“Vijmë te Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që thotë se ligjet duhet ti nënshtrohen konsultimit me Presidentin, etj. Lidhur me këtë propozim, pra betimin te Lana, KSHH, vlerëson se ceremonia e betimit te Presidenti nuk mund të realizohet në formë të shkruar. KSHH thotë se akti i betimit duhet të bëhet vetëm përpara Presidentit”, u shpreh Meta, që në fund të deklaratës, shpalli dhe datën kur do të thërresë popullin në rrugë, e që do të jetë 2 Marsi.
Presidenti foli për firmosjen e një dekreti, që do të bëhet së bashku me qytetarët, por nuk e saktësoi nëse kjo lidhet me shpërndarjen e Parlamentit.
“Më 2 mars do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve. Do të shkatërrojmë bazën e krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar ata që kërkojnë popullin e presidentit në whatsApp të porosisin poture të gjëra”, përfundoi Meta fjalën e tij.
(E.K/Faxweb.al)