Kryeministri Rama është pritur sot me protesta në Kukës ku ndaj tij janë hedhur edhe flakadanë, duke bërë që të nevojitet ndihma e policisë për të garantuar sigurinë e tij, kur po zbriste nga makina për t’u futur në pallatin “Hasan Prishtina”, ku do të ishte i pranishëm në anëtarësimet e reja në PS.
Në lidhje me çfarë ndodhi në Kukës ka reaguar edhe deputeti demokrat Flamur Noka. Përmes një postimi në ‘Facebook’, ai thotë se kryeministri u prit siç e meritonte, duke shtuar se shpejt do të merrte përgjigje “njëherë e mirë”.
“Te priten siç e meritoje o Edvin..I varferove, i zhyte ne mjerim,ju vrave te ardhmen , ju vrave shpresen , i perzure ne mase nga vendi aq sa e shkretove ate vend.I ndave , i izolove e tani shkon edhe ti poshtrosh.Nuk ta pranojne as Kuksianet e as Hasjanet kete gjuhe banditi pavaresisht se ti i tille je .Prit se do marresh pergjigje njehere e mire shume shpejt pasi je i vdekur i pa kallur ti dhe banda jote o Edvin”, shkruan Noka.
Kryeministri Rama ishte sot në Has dhe Kukës sot, ku foli për bashkëqeverisjen me qytetarët. Në Kukës ai bëri dhe premtime se aeroporti i Kukësit do të hapej, dhe stadiumi i Kukësit do të ndërtohej.
Për Ramën kjo ishte vizita e parë në Kukës pas protestës së banorëve të Kukësit në Rrugën e Kombit ku shkatërruan traun e vendosur pasi kërkonin heqjen e tarifës.
(B.H/Faxweb)