Nga Sokol Shameti*
Jo kushdo që vetëquhet “gazetar” është me të vërtetë gazetar. Gjithmonë kam vënë re me shqetësim se ka një konfuzion të qëllimshëm në dalimin midis atyre që janë gazetarë dhe atyre që thjesht “punojnë në media”.
Një mori karakteristikash negative që sot u mvishen gazetarëve, në realitet meritojnë të adresohen tek një nënshtresë tjetër njerëzish që janë të angazhuar në media, kanë në dorë mundësinë për të publikuar dhe ndikuar në opinionin publik, ndonëse nuk janë gazetarë. Janë këta ata të cilët e kanë inflacionuar këtë titull dhe e kanë degjeneruar këtë profesion. Bëhet fjalë për ata që punojnë në media për shkak të pamundësisë për të punuar në profesionin e tyre.
Ka mes tyre megjithatë, disa që vërtet punojnë me nje seriozitet të atillë sa të bëjnë me turp edhe ty që i përket këtij profesioni. Por një pjese tjetër, jo e vogel e tyre, janë ndër njerëzit që e përdhunojnë më rëndshëm se kushdo këtë profesion. Dhe ka një logjikë në këtë çmenduri: E gjithë kjo ndodh sepse shumëkujt prej tyre ky profesion nuk i dhimbset, nuk e kanë të tyrin, janë atje përkohësisht dhe kërkojnë t’i marrin materialisht maksimumin sepse mund të dalin prej tij po aq lehtësisht sa c’kanë hyrë.
Nje profesionist jo vetëm ushtron punën e tij me ndershmëri, por ai edhe kujdeset për mirëmbajtjen e “shëndetit” të profesionit të tij dhe perceptimit që njerëzit kanë për këtë profesion me të cilin ata jetojnë sot dhe duan të jetojnë edhe nesër. Ndërsa këta të punësuar në media, janë krejtësisht të ftohtë dhe moskokëçares ndaj perceptimit që publiku mund të krijojë rreth punës sezonale ku janë përfshirë. Ata mendojnë se e kanë gjithsesi një vend rezervë në profesionin ku nuk patën dot sukses para se te punësoheshin në media, andaj “bjeri t’i biem”.
Jane këta njerëz ata të cilëve nuk u dhemb fjala që shkruajnë, që nuk e mendojnë efektin e saj, qe e trajtojnë atë me pandjeshmëri dhe papërgjegjshmëri duke e dëmtuar besimin e publikut tek gazetaria, pasi njerëzit nuk kanë kohë të bëjnë dallimin nëse ishte vërtet gazetar apo jo ky që e bëri këtë dëm.
Integriteti profesional dhe kultura e punës gjithsesi janë diçka që nuk lidhet automatikisht me diplomën qe ti ke në xhep. Megjithatë, nëse dikush ka investuar X vjet të jetës së tij duke u arsimuar dhe përgatitur për një profesion, ka minimalisht më shumë dhembshuri dhe përgjegjesi ndaj këtij profesioni ku është investuar sesa dikush tjetër që është aty kalimthi.
Nesë jo për dicka tjetër, së paku thjesht për shkak se askush nuk dëshiron t’i quajë gabim zgjedhjet e veta të jetës. (E.K/SHUPLAKA)