Kishte filluar era dobësimit të sistemit por gjithsesi ishte akoma i fortë. Prindërit nuk njihnin lodhje, punonin ndershmërisht, por lodhja kishte lënë shenjat në fytyrat e tyre si rrathët e pemëve për të matur vjetërsinë. Mbanim pula në mes të Tiranës, si duket sistemi deri në këtë pikë ishte dorëzuar. Spiunat në lagje e vazhdonin me zell punën e tyre, mirëpo mekanizmat ishin dobësuar. E kalonin me shaka Kryerarët dhe sekretarët e këshillave të lagjes.
Nuk është kjo tema që duhet të them, nuk isha më shumë se 13-14 vjeç dhe ishim ndër familjet me gjendjen më të mirë ekonomike. Babi ishte me sedër dhe nuk e pëlqente që të rrisja pula, por fitoi ideja që djali po jepte shenjat që të bëhesha i zoti vetes dhe më toleroi. Cdo ditë isha i lidhur me restorantet ku mblidhja ushqimet, kryesisht buket e mbetura. Isha i lidhur me kamarierët dhe në këmbim të bukëve që m’i ruanin u jepja vezë. Çdo gjë e bëja me zell të madh, çdo ditë duke shtypur çdo dëshirë time fëminore. Ishte shi apo diell, ftohtë apo i nxehti përvëlues ti duhet të ishe në orarin e caktuar. Duhej t’i shërbeje, t’i pastroje dhe kur numri i tyre arriti në 100 krerë, puna dhe koha u kthye në diçka serioze. E nisur për nevojat personale ngadalë u kthye në “biznes” i ndaluar në vitet 87′-90′.
Më duhej të dielave t’i shisja vezët në pazar tek fshatarët, atëhere ishte një “turp”. Kur shikoja ndonjë të njohur fshihesha dhe i lutesha fshatarit që kisha në krahë ( kryesisht nënave shamibardhë ) që të përgjigjeshin për mua. I Gëzuar me lekët në shtrënguar fort në grusht kthehesha në shtëpi. Ua dorëzoja prindërve, mamit më shumë se babi qëndronte serioz dhe se presioni i lagjes bënte të veten. Gjithsesi ia kuptoja kënaqësinë e fshehur. Kishte njerëz të mëdhenj në lagje që më lavdëronin, kishte që më thonin se nuk kisha çe doja se unë jetoja më mirë se të gjithë. Vërtetë jetoja më mirë, në sajë të dy prindërve klasë puntore por që nga vjetërsia dhe titujt profesionalë ishin me rrogat më të larta. Siç ishte e vërtetë që për tre vjet i konkurova me “biznesin” tim të ndaluar me një rrogë shtesë për familjen. Por ata nuk kuptonin që unë nuk e bëja për lekë, biles kërkoja njëlloj si fëmijët e tjerë që nuk kontribonin në familje. Unë e bëja për t’u bërë pjesë e sakrificave të prindërve. E bëja për një buzëqeshje në buzët e nënës time. Jetoja për atë buzëqeshje!
Nuk do t’i hidhja kurrë këto rreshta sikur të mos mendoja se dikush nga të lindurit e pas 90′ -tës të ndalet sadopak, e fëmijët tanë që nuk kënaqen asnjëherë, të mendojnë një herë të vetme për ne, duke na bërë të buzëqeshim qoftë edhe duke na falenderuar…
Edhe sot që jam rritur, kur ia rrëmbej nënës time një buzëqeshje më kënaqet shpirti, atëhere nuk e dija se te këmbët e saja ishte Parajsa, por di që buzëqeshja e saj në atë kohë ishte gjithë bota për mua…