Të shtëna me armë kanë ndodhur mbrëmjen e sotme në lagjen numër 5 në qytetin e Kavajës, para zyrave elektorale të Partisë Demokratike.
Gazetarja e Fax News, Kloida Gjuzi raportoi se janë përplasor simpatizantë të PD-së dhe PS-së, dhe agresorët kanë zbritur nga një makinë me xhama të zinj e më pas kanë qëlluar.
I plagosur është shtetasi Bledi Oshtuni, 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë agresorët janë 3 persona, Ndricim Jonuzi, Markel Shtylla, Dorian Troplini. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është nisur me urgjencë drejt Kavajës.
Njoftimi i Policisë:
Kavajë/Informacion paraprak
Plagosi me armë zjarri 27 vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(E.H/Faxweb.al)