Shkak i konfliktit mes dy shoferëve të autobusëve është bërë konkurenca. Ata punojnë si shoferë të linjave të udhëtimit jashtë vendit.
Një prej shoferëve, pas konfliktit ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të autobusit të personit tjetër.
Menjëherë pas ngjarjes, ai është larguar. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit dhe po punon për kapjen e tij.
Njoftim Policie
Belsh
Qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtetasit A. T., për arsye konkurrence, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë dhe veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga, pas 1 orë ndekjeje, 35-vjeçari.
Si pasojë e të shtënave janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtonte shtetasi A. T.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një shtetasi tjetër, kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të stacionit të Policisë Belsh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, pas një orë ndjekjeje, është bërë e mundur kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 35 vjeç, banues në Belsh.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të autobusit që po drejtohej nga shtetasi A. T., për motive konkurrence (të ardhurat nga transportimi i pasagjerëve, me autobus).
Vijojnë veprimet hetimore, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.