Pas disa muajsh të gjata kontestimesh, kundërshtimesh, këmbënguljesh nga dy krerët e qeverive për qëndrimet e njëri-tjetrit, sot shqiptarët nga dy anët e kufirit të dy shteteve shqiptare janë përballë kufinjve të rinj. Ka plot zëra që fajësojnë Ramën, aq sa edhe fajësojnë Kurtin për atë çfarë po ndodh. Por a ka rëndësi vërtet se kush e ka fajin më të madh apo fajin më të vogël pas kësa shfaqje politike? A e zgjidh gjetja e fajtorit mostakimin e dy kryeministrave? A e zhbën gjetja e fajtorit atë kufi mes shqiptarëve që konfirmoi sot mostakimi Kurti-Rama?
Kushdo që mundohet ta gjejë fajtorin te kundërshtari politik, thjesht nuk lejon apo devijon leximin e së vërtetës së hidhur- dy kryeministrat shqiptarë mundësuan një mur të panevojshëm përmes një mostakimi.
Së pari, ne nuk kishim nevojë për këtë spektakël publik të Ramës, i cili ka kanale komunikimi për ta siguruar apo kundërshtuar një takim me Kurtin, pa pasur nevojë për spektatorë, pa pasur nevojë të na zyrtarizojë një dështim takimi. Fundja, ai është kryeministri që duhet të lexojë Kushtetutën e Shqipërisë mbi të cilën është betuar, dhe të shohë se e ka detyrim të jetë me sytë nga shqiptarët e Kosovës dhe se egoja e tij personale për protagonizëm si faktor ndërkombëtar nuk parashikohet në asnjë nen kushtetues. Ai nuk mund të sillet si kryeministër i një vendi të BE-së, nuk mund të jetë as danez e as spanjoll, as suedez e as slloven, apo grek e qipriot, pasi përballë Prishtinës ai dhe kushdo tjetër që përfaqëson institucionet shqiptare e ka të qartë se cilin kah duhet të mbajë dhe mbrojë gjatë kohës që ushtron këtë detyrë.
Vetë Rama nuk duhej t’ia lejonte vetes, si drejtues i qeverisë shqiptare, që të na shfaqej në publik i mirëpritur nga Vuçiç dhe i refuzuar nga Kurti, pasi një shfaqje e tillë mund të ketë duartrokitje në Beograd, por jo në Tiranë e Prishtinë.
Ndërkaq, Kurti, si kryeministër i Kosovës, duhet të kuptojë se çdo vendim për të ardhmen e stabilitetit dhe kufijve është më i madh se ai, se mandati i tij. Edhe nëse Kurti ka kundërshtuar “ndërkombëtarin” Rama, ai s’duhej asesi të mbyllte derën për kryeministrin shqiptar, e qëndrimet për kundërshtitë e tij t’i bënte përballë me të. Shqiptarët e Kosovës qartësisht kanë aleat SHBA e BE-në e nëse ata i kanë besuar Ramës një bashkëbisedim me Kurtin, ai duhet ta dëgjojë edhe pa e parë Ramën në sy, pasi askush nuk pret dashurinë mes tyre, por thjesht sjelljen si drejtues i vullnetit të shqiptarëve nga të dy krahët.
…..
Sot Rama e Kurti kanë vendosur kufij të shëmtuar politikë përpara çdo shqiptari. Sot pushteti i tyre politik ka mbi shpinë barrën e një muri absurd. Udhëtimi i Ramës nga sot drejt çdo qyteti tjetër, pas Prishtinës, ku nuk takoi Kurtin, nuk ka më ndonjë thelb. Të paktën jo për të ardhmen e Kosovës… Falë Zotit “kufijtë e rinj” janë vetëm politikë, pasi shqiptarët në dy anët e kufirit me shumë gjasa kanë qeshur me përbuzje për këtë teatër absurd Rama-Kurti!