Ka arritur një pikë, sa miliardat e parave që vërshojnë me një firmë të qeverisë dhe institucioneve të saj nuk bëjnë më përshtypje. Së fundmi ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe kryeministri Edi Rama kanë shpallur me bujë projektin ”3P” prej 1 miliard dollarësh.
E gjitha shpjegohet në emër të investimeve dhe shërbimeve më të mira për qytetarët. Por, pas thuajse 4 vitesh qeverisje, ajo që ka mbetur pa testuar është efekti i këtyre investimeve, tenderave. Shërbimet jo gjithnjë duken me sy të lirë, ose më saktë nuk ka ndonjë transparencë të madhe përveç shkrimit tek-tuk nga ekspertët qeveritarë të rreziqeve të partneritetit Publik-Privat.
Një nga pikat që duhet ta sqarojmë mirë, pikërisht ne gazetarët, është efektiviteti. Ja për shembull marrim tenderin më të fundit të Bashkisë Korçë: Rikonstruksioni me 1 miliard lekë i Teatrit të Korçës. Pak elementë do marrim në analizë për këtë tender jo të vogël për buxhetin e kulturës në Shqipëri.
VENDI DHE RIKTHIMI I INVESTIMIT
Është e qartë që Korça, ndryshe nga shumë qytete të tjera me traditë kulturore si për shembull Shkodra, është në preferencat e qeverisë. Një frymë e mbartur nga Niko Peleshi, zëvendëskryeministri, i cili ka qenë kryebashkiak i saj. Nuk mund të mohohet që Korça është një nga destinacionet e bukura shqiptare, te e cila vërshojnë turistë nga Tirana por a duhet aty rikonstruksioni i një teatri?! Projekti do nxiste më pak dyshime nëse do kishte përfunduar puna me teatrot e Tiranës. A e keni parë se në çfarë gjendje është Teatri Kombëtar?! Sigurisht që kundërargumentet do kishin të bënin me frazën ”Godina e Teatrit Kombëtar do ndërtohet nga e para”, mirëpo duhet thënë se në ka gjë që duhet rregulluar menjëherë në Shqipëri është pikërisht ai teatër. Dhe 1 miliard lekët do bënin shumë punë.
Shumë mund ta kundërshtojnë këtë analizë me argumentin ”më në fund po investohet për artin dhe teatrin, s’ka rëndësi ku”. Në rregull, po sa efektiv do jetë ky investim, sa do rikthehet?! A do rikthehej më shumë nëse ky teatër i rikonstruktuar të ndodhej në Tiranë?! Padiskutim!
Publiku i Korçës është i kufizuar në numër dhe më shumë kemi turistë qarkullues në fundjavat e shitura si ”sukses” për turizmin shqiptar, por këta turistë nuk janë biletablerësit besnikë të shfaqjeve.
Kush nga ne do shkonte në Korçë për të parë teatër?! Me siguri do kishim shijuar natyrën dhe gatimet e shijshme, në sfondin e serenatave dhe pak do zgjidhnin shfaqjet. Pra, sa bileta 2 mijë-lekshe do duheshin për 1 miliard lekëshin?! Nuk dihet si e kanë vlerësuar ekspertët dobinë e këtij investimi shumë të kushtueshëm për xhepat e taksapaguesve shqiptarë por edhe në ”emër të artit” duhen bërë investimet e duhura.
SHPJEGIMI PËR PREFERENCAT
Niko Peleshi ka bërë të mundur një kanalizim shumë të madh të fondeve publike drejt Korçës. Sigurisht që Korça meriton investime, por jo vetëm ajo. Shkodra, Vlora, Durrësi Saranda, Përmeti, Pogradeci etj jane qytete që kanë nevojë për investime. Në ”hesapet” e Peleshit perfshihet dhe rikonstruksioni i teatrit të Korçës.
Teatri i Korçës ka një traditë të tijën, por që fatkeqësisht gjatë demokracisë u sfumua duke mbetur vetëm në disa shfaqje komedie. Madje në shumë raste regjisoret dhe një pjesë e aktorëve vinin nga Tirana. Kjo për dy arsye.
E para, sepse investimet e bashkisë ishin minimale në vepra artistike. Artistët me pak fjalë nuk paguheshin dhe teatri nuk kishte një strukturë menaxhimi. I gjithë Teatri i Korçës bazohej tek drejtimi shumëvjeçar i Znj. Zamira Kita që është aktore komedie dhe jo menaxhere.
Së dyti, Bashkia harxhonte miliona lekë për festën e lakrorit etj si këto, por dështoi të kulturojë njerëzit. Dhe Teatri i Korçës përfundoi me 10 aktorë, gjysma amatorë dhe ku bileta nuk shitet as 200 lekë.
Tashmë mbi 1 miliardë lekë do investohen për Teatrin e Korçës vetëm për skenën dhe teknikën. Kjo shumë është relativisht e lartë për një teatër lokal që do sjellë efektin e ndërtimeve e ”Olimpiadës së Greqisë” ku u ndërtuan stadiume por nuk i përdori njeri pas olimpiadës.
Sepse pyetja e parë që shtrohet është që kur të hapet sipari kush do dalë në skenë? Sigurisht që arti ka nevojë për hapësira por artin e bëjnë njerëzit dhe ata duhen paguar.
Sa e ka buxhetin për projekte teatrale dhe koncerte Bashkia e Korçës në 1 vit? Jo me shumë se 7 milionë lekë të reja. Sa shfaqje në vit bën trupa e Korçës? Pse nuk i jepet gjysma e këtij fondi Teatrit të Shkodrës, i cili bën të paktën 80 shfaqje në vit?! Shkodra e ka traditë 150-vjeçare teatrin.
Një tjetër problem me sallat moderne janë edhe kostot e mirëmbajtjes. Sepse një gjë është ta bësh por një gjë më e madhe ta mbash. Teatro të tilla duan të paktën 3000 euro në muaj kosto mirëmbajtje. Po normalisht i bie që të paktën rreth 6000 euro duhet t’i ketë për shfaqje në Muaj.
Duke ditur rrethanat dhe buxhetet do ishte më mirë që Teatri i Korçës të rikonstruktohej me më shumë modesti dhe një pjesë e këtij buxheti t’i kalonte Teatrit të Shkodrës. (V.G/SHUPLAKA)
*Për teatrin ”Andon Zako Çajupi” do të shpenzohen plot 105.769.662 lekë dhe një pjesë e tyre do të përdoren për ndërtimin e një teatri kukullash. Autoritet Kontraktor është Bashkia e Korçës, drejtuar nga pasardhësi i Peleshit, Sotiraq Filo. Projekti i teatrit është bërë nga ”DEA Studio” e cila është në pronësi të Alket Meslanit, Ervin Taçit dhe Fatos Pipës. Kjo studio ka realizuar edhe projektin e shëtitores së Himarës.
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1057″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]