Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të diskutohet për çështjen e Teatrit Kombëtar është shtyrë për t’u zhvilluar ditën e hënë në orën 11:00.
Mbledhja për diskutimin e ndërtimit të godinës së re ishte planifikuar që të mbahej ditën e nesërme, por është shtyrë papritur.
Mbrëmjen e kaluar forca të shumta policie kanë zbarkuar tek sheshi para Teatrit, të cilat kanë hasur me rezistencën e artistëve dhe qytetarëve të cilët janë të vendosur për të mbrojur godinën.
Çështja për shembjen e Teatrit Kombëtar ka nxitur reagime të shumta prej dy vitesh, ku artistët kundërshtojnë me forcë vendimin për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar, pasi e vlersojnë si një godinë me vlera historike për vendin dhe për qytetin e Tiranës.
Ndërkohë sot Presidenti i Republikës Ilir Meta depozitoi një padi të dytë në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për mosshembjen e Teatrit Kombëtar.
Menjëherë pas padisë, presidenti Meta mbajti dhe një konferencë për shtyp me gazetarët ku u shpreh:
Depozitova një padi për kalimin e Teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Është një detyrim kushtetues i presidentit që të mbrojë pasurinë publike, e cila është e lidhur ngushtë me identitetin kombëtar.
Synohet të zhduket dhe memoria jonë të humbasë. Vendimi është anti-kushtetues për cënimin e pasurisë kombëtare. Është e qartë, se përmes togfjalëshit, ndërtimin e e një godine me standarde dhe që i ndalohet të ndryshojë destinacionin, qëllimi për shkatërrimin e kompleksit është urdhëruar dhe këshilli bashkiak mbetet vetëm ta vendosë në zbatim. Prishja e godinës do të përbënte shkelje të parimeve kushtetuese. Këto akte duhet shfuqizuar dhe të vendosë për pezullimin e vendimit të tyre.
Qeveria dhe bashkia kanë shfaqur hapur se qëllimi i tyre është i qartë se nuk tërhiqen nga shembja dhe ndërtimi i një godine të re. Këto deklarata për kryebashkiakun kapërcejnë edhe kufijtë e lejuara nga ligji për vetëqeverisjen vendore, për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Duke qenë se kjo pasuri është Teatri Kombëtar dhe që lidhet me interesin e përgjithshëm kombëtar, bashkia nuk mund të ketë në pronësi dhe aq më tepër të shprehet dhe të tejkalojë kufijtë.
Pronësia duhet të qëndrojë vetëm në emër të Republikës së Shqipërisë. Edhe padia e parë duhet të vijojë që të shqyrtohet. E drejta për të vendosur nuk i takon vetëm një qeverie apo bashkie, por të gjithë qytetarëve, atëherë i takon vetëm gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur.
Po kështu dhe regjisori Robert Budina në një intervistë për Fax News u shpreh se artistët janë të vendosur ta mbrojnë fizikisht godinën e Teatrit Kombëtar.
Discussion about this post