Ka pasur një vetëofrim nga firmë në pjesën e pasme të Teatrit, për ta zhvilluar. Firma Fusha bën një ofertë
Deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli i ftuar në studion e Fax News për të folur për prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar ka thënë se qeveria nuk e ka mundësinë që të ndërtojë një godinë të shtrenjtë, por edhe nuk mund t’i lërë aktorët të luajnë në një godinë që po shembet, siç u shpreh ai.
Deputeti socialist Ylli tha se fima që ka një truall pas Teatrit Kombëtar, firma ‘Fusha’ ka ofruar ta japë truallin për investim së bashku me një pjesë të truallit të Teatrit, ku do të ndërtohet një i ri.
“Do të bëhet një teatër bashkëkohor, evropian dhe pa kullë. Po deklaroj me përgjegjshmëri si sekretar I Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Medias se Qeveria deri tani nuk ka marrë asnjë vendim. Çdo vendim do të merret në transparencë. Ka vetëm një ofertë që po shqyrtohet ligjërisht.” – ka theksuar deputeti Fidel Ylli.
Ylli ka kundërshtuar akuzat për vendimarrje të fshehtë dhe personale të ministres Kumbaro apo të kryeminsitrit Rama në lidhje me ndërtimin e godinës së re. Ai ka ftuar firmat e ndryshme të ofrojnë projekte të cilat të konkurrojnë në mënyrë transparente.
Në fund deputeti Ylli ka akuzuar aktorin Robert Ndrenika që nuk i ka kërkuar Sali Berishës, në kohën kur aktori ishte deputet i PD, ndërtimin e një godine të re.
(E.L./Faxweb)