Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka kaluar natën tek sheshi pranë Teatrit Kombëtar, në mbështetje të artistëve që janë kundër shembjes së godinës.
Kryemadhi është shoqëruar edhe nga përfaqësues dhe eksponentë të LSI-së si Petrit Vasili, të cilët kanë qendruar deri në mëngjes në me artistët tek sheshi i Teatrit Kombëtar.
Nga ana tjetër, burime për Fax News, bëjnë të ditura se në zyrat e bashkisë së Tiranës është zhvilluar një mbledhje e cila ka zgjatur rreth 3 orë.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur, se mbledhja ka nisur në orën 23:30 dhe ka përfunduar rreth orës 02:00 të mëngjesit. Pas përfundimit të mbledhjes në bashki, zyrtarët janë larguar me një makinë me shpejtësi.
Nuk bëhen të ditura detaje nga mbledhja e zhvilluar në bashki në orët e vona të mesnatës, ndërkohë që vetëm një ditë më parë përfaqësues të Aleancës për Teatrin Kombëtar ngritën një padi pranë prokurorisë së Tiranës në lidhje me vendimin e Këshillit Bashkiak që vendosi shembjen e godinës së Teatrit.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paditi në prokurorinë e Tiranës 3 inxhinierë të Institutit të Ndërtimit pasi kanë firmosur relacionin që ia kanë dorëzuar Bashkisë së Tiranës ku sugjerojnë shembjen e godinës (lexo këtu).
Sipas përfaqësuesve të AMT-së janë paditur Elbarina Kola specialiste pranë Institutit të Ndërtimit, Artur Hasantare përgjegjës në këtë Institutit dhe Olsi Nunaj specialist.(M.Q/Faxweb.al)