Ish-trajneri i Partizanit dhe Skënderbeut, Andrea Agostineli, ka bërë një krahasim për skuadrat shqiptare që ka drejtuar, konkretisht Skënderbeun dhe Partizanin. Tekniku Italian ka krahasuar dy ekipet shqiptare me dy nga ekipet më të mira të Spanjës, Barcelonën dhe Atletiko Madridin.
“Partizanin e kam përafruar gjithmonë me Atletiko Madridin për grintën, ndërsa Skënderbeun me Barcelonën për nga cilësitë. Dy karakteristika të ekipeve të mëdha”, tha ai
Ai, duke folur për “Sport Ekspres” në lidhje me aventurën evropiane të Partizanit dhe Skënderbeut, ka folur edhe për periudhën kur ai ishte trajner në Shqipëri.
Agostineli ka komentuar edhe ambientin e futbollit në Shqipëri dhe ka lënë të nëkuptohet se roli i trajnerit është i zbehtë ek klubet shqiptare.
“Mendoj se keni bërë hapa të mëdhenj për sa i përket rritjes së nivelit të futbollistëve. Megjithatë, më duhet të them se keni nevojë për trajnerë që vendosin dhe thonë rregullat”, u shpreh Agostineli.
Ai gjithashtu se i pëlqejnë tifozët shqiptarë, ndërsa për ata që kanë paragjykime për ambientin e futbollit në Shqipëri, ai i këshillon që të vijnë ta vizitojnë vetë.
“Po e përsëris se jam i pasionuar dhe më pëlqejnë tifozët shqiptarë. Kush ka akoma paragjykime me Shqipërinë duhet të shkojë atje dhe ta shikojë nga afër vetë”, deklaroi ai. (B.H/Shuplaka)