Nga Anila Basha
Pasditen e 2 shtatorit 2005, një tufë burrash dhe grash të mbledhur në ambientet e dala boje të Selisë së Partisë Socialiste, prisin me ankth se çdo të ndodhte pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. E majta kishte rënë duke i hapur rrugë Sali Berishës për të ardhur në pushtet.
Namiku, Serveti, Gramozi, Fatmiri, Arbeni, Bashkimi, Ermelinda, Arta, Saemira etj prisnin gjithë ankth, të fillonte mbledhja e kryesisë. E drejtonte Fatos Nano.
Ky i fundit, vjen 1 orë me vonesë. Për të justifikuar vonesën, (por që të gjithë mendonin se nuk kishte nevojë për justifikim) thotë: Më falni. Nuk e kam zakon të vonohem, por kisha një telefonatë të rëndësishme me Ollbrajt …U dëgjua një ofshamë lehtësimi.
Të nesërmen, Nano dha dorëheqjen. Mesazhi ishte i qartë brenda justifikimit: Shihni veten, unë çava ferrën…
M’u kujtua kjo histori me Nanon kur dëgjova Ramën në Asamblenë Parlamentare të PS pasditen e 23 korrikut.
“Nuk e kam për zakon të vonohem, tha Rama, – por pata një telefonatë të rëndësishme me presidentin francez”.
Nuk pretendoj asfare që ndonjë nga 300 a 400 anëtarët e Asamblesë Kombëtare (nuk e kemi më idenë e numrit të organit më të lartë vendimmarrës të PS) të kujtonin apo të kuptojnë mesazhet që do të përçojë Edi Rama nëpërmjet asaj që thotë në ato salla të tejmbushura, me fjalime si ai i dy ditëve më parë ku AI vetë propozon, vetë vendos, vetë vulos, e vetë numëron e zëvendëson. Hiqen e vendosën sekretaret pa konkurrim, pa demokraci, pa numërim votash. Në të njëjtën mënyrë emërohen dhe shkarkohen të deleguarit nëpër rrethe.
Por ajo që nuk kuptoj, është sesi nuk ulërasin socialistët që kanë mbetur në sallë.
Po si e përballon dhe pse nuk flet Erion Braçe kur i thotë “PO” emërimit në krye të FRESSH, apo quajeni sekretar për Rininë, të Gent Cakajt? Po mirë mo socialist, i rrahur që kalama që në orët e para, që ke bredhur çdo derë socialisti, që mbajte çdo shkop gome mbi sup, që ngjite trakte e shpërndave fletushka dhe që u shpërbleve tërë jetën deputet i kësaj force politike. A ke pyetur ti si socialist i vjetër se në çfarë organizate socialiste militon Gent Cakaj? Po sa kuotizacione ka paguar te arka e PS? Sa anëtarë partie ka bërë për vete e sa të rinj eurosocialistë njeh Genti. Se deri tek ministër i Jashtëm, është propozim i Ramës dhe ta mbajë e ta gëzojë…Por t’u japësh Gentin në krye të FRESSH, qindra të rinjve e të rejave, që kanë marrë teserën në shkollat 9-vjeçare dhe duan të ecin tek kjo forcë politike, është e tepërt…Aaaaa, tani je zv.kr, tani nuk e hap dot gojën për socialistët.
Po si ka mundësi e pranon këtë mor Fatmir Xhafaj? Ti, ti që e di shumë mirë se për t’u zgjedhur anëtar kryesie në ish-KPD e famshme, konkurroje me tre kandidatë të tjerë, me vota e me kuti, me një garë të hapur. Ti, që e di shumë mirë, se edhe dështoje kur konkurroje si sekretar organizativ për shkak të lobimeve brenda forumit më të lartë. Ti pra ti, që militon në PS që në fillim të viteve ’90, e në ’97 riorganizoje institucionet e “tredhura” të shtetit shqiptar. Ti pra ti, si e pranon Cakajn si sekretar të Rinisë dhe e voton pa konkurrim, duke e ditur se nuk ka asnjë ditë jetë partie, apo të jetë një ditë mes të rinjve të kësaj force.
Pastaj, më mbushet mendja se PS nuk ekziston kur shof fytyrën e Pandit, ashtu të qeshur si gjithmonë. Këtu zhgënjehem për qindra e qindra socialistë që thonë se mund të bëhet më mirë. Po si mundet ti Pandeli Majko, ish-kryetar i Forumit Rinor të Partisë Socialiste, që ke organizuar aq takime, aq mitingje, aq tubime, që keni kaluar stafetën me radhë te njeri tjetri të pranosh Gent Cakajn sekretar për rininë dhe të mos hapësh gojë? Po ju Nanos ia nxinit jetën, e mban mend besoj se çfarë i ke punuar. Për një post ministri e bën veten, që vdes frymën e konkurrencës e meritokracisë edhe brenda partisë ku ke lindur?
Po mirë mo Musa Ulqini…Ku ishe fshehur në atë sallë. Po ti, ish-kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës, që ke punuar me dhjetëra e dhjetëra freshistë, që njeh çdo rrugicë, që ke hyrë derë më derë në shtëpitë e tironsve, që njeh çdo kryetar njësie, e cdo fëmijë që sot është bërë burrë, apo edhe drejtor. Ti si e pranon Gent Cakën si sekretar për rininë.
Fino? Bashkimi të krijon idenë se është lodhur me këto gjëra. Eshtë harruar si të thuash. Ish-kryetar bashkie, ish-kryeministër në momentin më të vështirë të vendit, njeriu që mbështetej më shumë nga FRESSH sesa çdo politikan tjetër edhe për shkak të batutave dhe energjisë që përconte, si nuk foli një fjalë se ai çoç nuk e vret mendjen shumë për të thënë fjalën e tij, si ra dakord për sekretarin e ri të Rinisë…
Mund të fliste edhe Spiropali. Ajo vetë e di se me ç’mund e sa shumë sherr është zgjedhur kryetare e FRESSH kur e luftonte edhe Rama, edhe Veliaj. Dhe prapë ia doli. Por me konkurrim. Madje, nuk mund të harrohet sherri publik kur i thoshte Edi Ramës të shkonte te vendi ku ishte ajo, se nuk denjonte ta takonte te Partia…
Në atë sallë të Asamblesë ka shumë njerëz që mund të flisnin. Partia nuk është Qeveri. Ministrat do ikin e do vijnë, por sekretarët, janë motorri elektoral. Ose, e kanë fjetur mendjen se zyrat e partisë do të mbyllen dhe do të tërheqin këmbën zvarrë. Për të mbetur si në zgjedhjet e fundit të 30 qershorit, kur në shtabin elektoral ku kalkuloheshin votat që vinin nga të rinjtë në cdo qendër numërimi, një socialist që tentoi të hynte në PS i thanë: Po ti kush je? Ça do këtu!!!