“Mitteldeutscher Rundfunk”, televizion gjerman që mbulon disa lande vendase, i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë duke e cilësuar si “Kolumbinë” e Europës për shkak të trafikimit në masë të lëndës narkotike.
“Me rënien e komunizmit në vitin 1990, Shqipëria u përfshi nga një valë e madhe emigracioni. Deri më 1996-ën, 600,000 shqiptarë kishin lënë vendin e tyre për tu strehuar kryesisht në Europën Perëndimore. Sot numërohen më shumë se 900,000 shqiptarë larg Shqipërisë”, nis artikullin televizioni public gjerman MDR.
“Shqipëria kërkon të hyjë në BE. Por ka pengesa, krimi i organizuar dhe trafiku i drogës cilësohen si probleme të mëdha të vendit. Veçanërisht vendi është lider europian në prodhimin e kanabisit”., citohet ndër të tjera në artikull. “Mitteldeutscher Rundfunk” shkruan më tej se klima dhe rajonet malore ofrojnë mundësi për kultivimin e kanabisit, gjithashtu vë theksin edhe tek politika dhe mafia ndërkombëtare që sipas saj televizionit “janë në të njëjtën anije”.
Në artikull theksohet se kultivimi i drogës shihet në Shqipëri si një mënyrë për të dalë nga varfëria. MDR risjell në vëmendje operacionet që Policia e Shtetit ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit, ndër to ai në fshatin Lazarat.