Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin ka pasur 15 vatra zjarresh në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër dhe Shkodër.
Forcat zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës për të shuar zjarret pavarësisht terrenit të vështirë. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 175 forca zjarrfikëse me 30 automjete, 50 forca ushtarake si dhe 24 forca vullnetare. Specialistët e Emergjencave Civile vijojnë të monitorojnë situatën nga afër në të gjithë vendin.
QARKU GJIROKASTËR
Në kurorën e gjelbër të qytetit të Tepelenës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit për shuarjen e flakëve u angazhuan zjarrfikëse nga Tepelena, Përmeti dhe Gjirokastra.
Për shkak të erës flakët rrezikuan edhe disa banesa që ndodheshin pranë si dhe spitalin e qytetit. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë ndërhyrë edhe 20 efektivë të ushtrisë. Gjatë orëve të para të mëngjesit është ndërhyrë edhe nga ajri me anë të helikopterit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 7 ha me shkurre dhe u shpëtua kurora e qytetit të Tepelenës. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
QARKU SHKODËR
– Në fshatin Melgush, Vau-Dejës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Për shkak të sipërfaqes së madhe në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 30 forca ushtarake për shuarjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe u shpëtuan disa rrënjë ulliri.
– Në lagjen “Dacin”, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me shkurre. Zjarri u riaktivizua në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm dhe në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset për shuarjen e zjarrit.