Zbulohet identiteti i biznesmenit që u kërcënua me vdekje së bashku me familjen e tij, për t’u tërhequr nga një tender i fituar në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për biznesmenin Eral Myftaraj, administrator i kompanisë “Meteo” me qendër në Cërrik, i cili operon kryesisht në fushën e ndërtimit.
Së fundi ai kishte fituar një tender me vlerë 1 milionë euro, për furnizimin me lëndë drusore të shkollave nga Bashkia e Tiranës.
Për ngjarjen policia vuri në pranga 3 persona dhe shpalli në kërkim një tjetër.
Nëkuadër të operacionit policor të koduar “Tenderi”, u vunë në pranga shtetasit:
Algert Alcani, 27 vjeç,
Edmir Boci, 37 vjeç,
Shaqir Alcani, 62 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një 38-vjeçar, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.
62 vjeçari Alçani rezulton pronar i firmës ‘Alcani sh.p.k.’, e cila në kohë të ndryshme ka përftuar 28 tendera, 13 prej tyre në bashkinë e Tiranës.
Firma rezulton se kryesisht furnizonte me lëndë djegëse për ngrohje objekte arsimore. Vlera e tenderave të përfituara në përgjithësi nga kjo firmë nuk e kanë kaluar shifrën e 400 mijë euro.
Duket se konflikti për ‘territor’ mes biznesmenëve ka degjeneruar në kanosje deri në vrasjen e familjarëve të Myftarajt.
Gjatë finalizimit të aksionit “Tenderi”, policia sekuestroi makinën e përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.
Hetimet zgjatën një muaj dhe në aksion morën pjesë strukturat hetimore të Drejtorisë së Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
(E.K/Faxweb.al)