Ka patur tensione mesditën e sotme ne burgun 313, pasi autoritetet nuk kanë lejuar Aleksandër Muratajt, për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait Admir Muratajt, të vrarë tre ditë më parë pas grabitjes në Rinas.
Vendimi i autoriteteve të burgjeve për të mos lejuar Aleksandër Muratajn është shoqëruar me arsyetimin se fshati Cermë i Tropojës, aty ku në mesditë iu dha lamtumira e fundit 47 vjeçarit Murataj, është shumë larg dhe se subjekti që kërkonte leje ka rrezikshmëri të lartë dhe se rrezik mund të ketë dhe jeta e personelit policor që mund ta shoqëronte për në Tropojë.
Vendimi për të mos i dhënë leje Aleksandër Muratajt është shoqëruar më tensione në burgun e sigurisë së lartë nr.313 në Tiranë. Bashkëvuajtësit e Aleksandër Muratajt janë rebeluar pas vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të mos i dhënë lejë për të qenë në varrimin e vëllait.
Ndërkohë në aeroportin e Rinasit, në vendin ku është kryer grabitja pak ditë më parë, ka mbërritur Prokuroria e Krimeve të Rënda për të vijuar hetimet. Prokuroria ka mbledhur provat për grabitjen e 6.5 milionë eurove.
Ndërsa po ashtu ditën e sotme ajo ka kërkuar sekuestrimin e gjithë pronave të familjes Murataj. Burimet bëjnë me dije se policia ka identifikuar edhe një person tjetër i cili ka marrë pjesë në grabitjen e së martës.