Nëse Qeveria e Serbisë nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit, “qytetarët do të jenë të gatshëm t’i marrin të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”.
Kështu paralajmëruan studentët protestues serbë, përpara tubimit të paralajmëruar në Beograd, për datën 28 qershor, ditën kur festohet Vidovdani, i cili në histori lidhet me Betejën e Kosovës, më 1389.
Kërkesë e dytë e studentëve është ndërprerja e protestës në qendër të Beogradit, ku kundërshtarët e studentëve protestues, të cilët e cilësojnë veten si “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe tash e tre muaj.
Një grup i studentëve protestues, që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, ka bllokuar shumicën e universiteteve shtetërore në Serbi, duke shprehur pakënaqësi me situatën socio-politike në këtë vend, pas aksidentit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Nga shembja e një strehe prej betonit atje, 16 persona kanë humbur jetën.