Situata e trazuar politike në vendet arabe ka bërë që Kombëtarja e SHBA-së të anulojë grumbullimin në Katar, i cili ishte planifikuar këtë fillim janari. Në këtë mënyrë lojtarët dhe stafi teknik do të qëndrojnë në shtëpi.
“Duke parë zhvillimet në vendet arabe, Kombëtarja e Amerikës ka vendosur të shtyjë udhëtimin në Katar. Ndërkohë, po punojmë në një program alternativ, për ndeshjen më datë 1 shkurt ndaj Kosta Rikës. Po punojmë me Federatën e Futbollit në Katar për të gjetur mundësinë në të ardhmen që Kombëtarja jonë të shijojë mikpritjen e këtij vendi”, shkruhej në njoftimin nëpërmjet Twitter nga Federata e Amerikës.
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Kosovës do të udhëtojë drejt Katarit dhe më datë 12 janar do të zhvillojë ndeshjen miqësore ndaj Suedisë. Në planet e Dardanëve ishte edhe një takim miqësor i mundshëm me Amerikën, por tashmë shanset janë zero duke qenë se amerikanët nuk do jenë prezent në Katar.