Policia e Kosovës ka dhënë një përmbledhje të ngjarjeve të ditës së sotme në komunat e Veriut të Kosovës, teksa njofton se aktualisht situata është qetësuar.
Përmes një njoftimi Policia deklaron se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.
“Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ishin tubuar pranë objekteve komunale, me qëllim të pengimit dhe moslejimit të hyrjes së zyrtarëve në objektet e komunave përtë kryer detyrat e tyre.
Policia e Kosovës thotë se duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.
“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare”.
“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”.
Si pasojë e sulmeve pesë zyrtarë të policisë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tërsi. Gjithashtu janë dëmtuar disa mjete të tjera civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri vetura të EULEX-it.
Sipas Policisë individë apo grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavorr, gurë dhe mjete të rënda transportuese.
Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente.
Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.