Policia ka ndaluar dy punonjës të Bashkisë së Kavajës, pas tensioneve të shfaqura dje në ambientet e KZAZ numër 42. Së bashku me dy punonjësit e policisë janë ndaluar dhe 3 persona të tjerë.
Situata në Kavajë u shfaq mjaft e tensionuar mbrëmjen e djeshme, ku policia iu përgjigj qytetarëve me sasi të mëdha gazi, që lënduan edhe kalimtarë apo banorë të zonës. Po ashtu një pjesë e protestuesve, mbështetës të PD-së u dhunuan. Derimë tani emrat e personave të shqëruar nuk bëhen të ditur.
Kujtojmë se që prej të martës, situata në të gjitha bashkitë e vendit që drejtohen nga opozita është mjaft e tensionuar, për shkak se nuk është respektuar kërkesa e drejtuesve lokalë për të liruar ambientet e KZAZ-ve në respekt të dekretit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve.
Pavarësisht se kryebashkiakët e opozitës kanë kërkuar ndihmën e policisë, kjo e fundit është përgjigjur negativisht, duke sjellë në jo pak raste dhe përplasje mes vetë punonjësve të policisë së rendit dhe asaj Bashkiake.
Tensionet më të mëdha gjatë ditës së djeshme u dhënuan në Kukës, Burrel, Kamëz, Pogradec, Kavajë, Çorovodë apo Devoll, dhe duket se skenari do të përsëritet dhe sot, sa kohë që ambientet ende nuk janë liruar.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërcënoi se do të shkrinte një pjesë të policive bashkiake, që sipas tij ishin në shkelje të ligjit, dhe përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Nga ana tjetër sot në Kuvend pritet që të kalojë një ndryshim në Kodin Penal, që iu ndalon daljen jashtë vendit për 10 vite personave që kryejnë krime kundër zgjedhjeve.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post