Ditën e sotme Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet në Ankara me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për bisedime që do të prekin çështjen e Sirisë dhe të Irakut.
Nga zyra e Erdoganit është njoftuar se dy liderët “do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe, ashtu si edhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”.
Sipas REL Turqia e ka dënuar referendumin e kurdëve të Irakut për pavarësi, që është mbajtur këtë javë, ndërsa liderin kurd, Masud Barzani, e ka akuzuar për “tradhti”.
Kremlini nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite votimin, por ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Irakut.
Në Siri, ndërkaq, Moska dhe Ankaraja mbështesin palë të kundërta të konfliktit. Rusia mbështet forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërsa Turqia grupe të ndryshme rebele që e kundërshtojnë sundimin e Assadit. (J.V/Shuplaka)