Pas plot 11 përpjekjesh të pasuksesshme, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish sot, në tentativën e 12-të për t’u konstituuar. Kriza politike ka hyrë në javën e katërt, ndërsa ende nuk janë hedhur hapa konkretë drejt formimit të institucioneve.
Seanca e parë konstituive është mbajtur më 15 prill, por deri më tani janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës. Bllokimi ka ndodhur te pika e tretë – zgjedhja e kryetarit të Kuvendit – çështje që po mban peng gjithë procesin.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me idenë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie tranzitore. Ai u shpreh se nuk sheh asnjë problem në zhvillimin e konsultimeve ndërmjet partive opozitare, por ka kundërshtuar kategorikisht që në këto diskutime të përfshihet edhe Lëvizja Vetëvendosje.