Kryeprokurori Adriatik Llalla është takuar me homologun e tij turk Mehmet Akarca, i cili i ka kërkuar të parit të nisë hetimet ndaj disa personave.
Kjo për shkak se disa prej personave që dyshohet se janë përfshirë në tentativën për grusht shteti në Turqi, janë të strehuar në vendin tonë.
“Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, Akarca kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 Korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndër të tjera, dy prokurorët diskutuan për marrëdhëniet midis dy vendeve. Nga ana e tij, Llalla vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet turke në luftën kundër krimit të organizuar dhe, në veçanti, trafikut të lëndëve narkotike. Ndërsa Akarca foli për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, kjo duke u nisur nga rreziku i përhapjes së terrorizmit në Ballkan e në Europë. (D.D/Shuplaka)