Antonio Uldedaj, 25 vjeç tentoi ditën e djeshme të vriste ish-kunatin e tij Marsido Pati, duke i goditur disa herë, me automjet, motorin në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, në afërsi të “Kthesës së Knallës”.
Policia ka zbardhur ditën e sotme ngjarjen e cila fillimisht u raportua si një aksident.
Sipas burimeve zyrtare, Antonio tentoi të vriste ish-kunatin 32-vjeçar për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës.
25-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Blutë bëjnë me dije se me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe motomjeti që u përfshinë në këtë rast.
“Paraditen e djeshme, Policia është njoftuar se kishte ndodhur një aksident rrugor në aksin “Lezhë-Shëngjin, në vendin e quajtur “Kthesa e Knallës”, ku një automjet kishte përplasur një motomjet dhe drejtuesi i automjetit ishte larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët e Policisë Rrugore kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer hetime të thelluara për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që u raportua fillimisht si aksident.
Nga hetimet e deritanishme u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. U., 25 vjeç, banues në Lezhë, pasi rezultoi se ka përplasur qëllimisht, disa herë, me automjet, motomjetin me drejtues ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Ishull-Shëngjin, për shkak të konflikteve për zgjidhjen e martesës”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Discussion about this post