Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Bashkim Muratajn, i arrestuar më 11 gusht të këtij viti nga policia si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës.
Murataj kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë, dhe pavarësisht kërkesës së mbrojtes, Apeli e ka gjykuar të drejtë masën shtrënguese ndaj tij duke e lënë në burg.
Burime bëjnë me dije se Murataj e justifikonte kërkesën e tij me argumentin se ka 3 fëmijë që do ti duhet të kujdesej për ta dhe se bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore. Ai gjithashtu ka mohuar të jetë i përfshirë në trafikimin e narkotikëve gjatë mbrojtjes që ka bërë në seancën e zhvilluar në apel.
57 vjeçari ishte i shpallur në kërkim prej 2 vitesh, pasi në dhjetor 2019, i ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg për trafik lëndësh narkotike.
Murataj dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e datës 13.12.2019, në pikën kufitare Kapshticë, Korçë, ku gjatë kontrollit në një automjet u gjetën dhe u sekuestruan 1072.4 kg lëndë narkotike kanabis.
Droga e sekuestruar u kap në dy kamionët e bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës ndërsa u arrestuan në flagrancë në atë kohë Zija Hidri e Ardian Sako drejtues të kamionëve.
Droga ishte e ndarë në 103 thasë me krunde, të fshehura në dy kamionët me targa AA 874 UZ dhe AA 701 XO që udhëtonin drejt Greqisë, ndërsa si destinacionan final kishin Turqinë. I vetmi që kishte mbetur në arrati, ishte Bashkim Murataj i cili mbahet në burg për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të struktuar kríminal, “Grupi i strukturuar kríminal”, “Kryerja e veprave pènale nga organizata kríminale dhe grupi i strukturuar kríminal”.
Gentian Ramadani, Andrea (Renato) Muça e Mariglen Sako, të përfshirë në këtë trafik akuzohen po ashtu trafik droge e moskallëzim krimi.