03:08 | 30/07/2025

Tentoi të kalonte kufirin me pasaportë false greke, arrestohet shtetasi gjeorgjian në Rinas

Policia Kufitare në Rinas godet një tjetër rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.

Një shtetas gjeorgjian është arrestuar në flagrancë pasi u kap duke përdorur një pasaportë false greke për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit, me dokument të falsifikuar.

Vihet në pranga 1 shtetas gjeorgjian. Sekuestohet një pasaportë false.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, bazuar në informacionet e marra përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të të dhënave me partnerët britanikë, se një shtetas gjeorgjian dyshohet se do të përdorte një pasaportë të falsifikuar për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar, menjëherë kanë organizuar punën. Si rezultat është bërë identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. Z., 41 vjeç, lindur dhe banues në Gjeorgji.

Ky shtetas fillimisht ka paraqitur në sportelin e Policisë, për të dalë në mënyrë të rregullt nga Republika e Shqipërisë, pasaportë gjeorgjiane dhe një kartë imbarkimi për fluturim drejt Budapestit.

Shërbimet e Policisë e kanë mbajtur në monitorim dhe e kanë konstatuar te porta tjetër dalëse, gati për imbarkim në linjën me itinerar “Tiranë-Mançester”.     Në vijim të veprimeve, është bërë shoqërimi i shtetasit G. Z., në vijën e dytë, ku gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të bagazheve iu gjet një pasaportë greke me të dhëna të një shtetasi grek dhe një boarding pass më të njëjtat të dhëna. Nga ekzaminimet paraprake në laboraror, dyshohet se pasaporta është e falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas arrestuan në flagrancë shtetasin G. Z., 41 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftime dhe vizave” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

Ky rast nënvizon rëndësinë dhe efektivitetin e bashkëpunimit të vazhdueshëm me autoritetet ligjzbatuese britanike, në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve.

Para
 



Të Fundit