Një 38-vjeçar është proceduar nga Policia e Durrësit pasi tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore duke i ofruar para për të shmangur masën administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Shtetasi i proceduar akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit kanë ndaluar në rrugën “Pavarësia”, drejtuesin e një autobusi që po përdorte celularin ndërkohë që ishte në lëvizje. Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para, punonjësve të Policisë, për të shmangur ndëshkimin me masë administrative për shkeljen e kryer.