Policia Kufitare në Kukës ka arrestuar katër shtetas të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale dhe kanë tentuar që të kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt.
Policia njoftoi se “si rezultat i këtyre kontrolleve, shërbimet e Policisë Morinë kapën në flagrancë 4 shtetas: 1 shtetas që tentoi të kalonte kufirin me një automjet të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli; 2 shtetas turq që tentuan të kalonin kufirin me lëndë narkotike kanabis me vete; 1 shtetas tjetër që tentoi të kalonte kufirin, ndërkohë që ishte në kërkim nga Policia e Krujës”.
Sipas Policisë “në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet procedurale respektive në Prokurorinë e Kukësit, për shtetasit: D. N., 46 vjeç banues në Belgjikë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, pasi ka tentuar të hyjë në Shqipëri, me një automjet tip “Mercedes Benz” që rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli, në vitin 2021. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”.
“A. D., 33 vjeç dhe D. T., 30 vjeç, të dy banues në Mal të Zi, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin u paraqitën në hyrje dhe pas kontrollit fizik ndaj tyre, u gjetën dhe u sekuestruan sasi të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa. Veprimet procedurale për këtë rast u kryen në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës”, njoftoi Policia.
Policia Kufitare njoftoi se “kreu veprimet administrative për V. N., 50 vjeç, banues në Pukë, që tentoi të kalonte në Kosovë, në mënyrë të parregullt. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga Komisariatit i Policisë Krujë, që e kishte shpallur në kërkim shtetasin V. N., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës””.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.