3 persona janë vënë në prangat e policisë, pasi tentuan të vidhnin karburant në një firmë ndërtimi në Vlorë. Shtetasit me iniciale Ç.Sh., 20 vjeç, A.E., 23 vjeç dhe A.B., 53 vjeç, kanë tentuar të vjedhin karburantin e mjeteve të firmës së ndërtimit.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar automjetin me të cilin do të bëhej transporti i karburantit, si dhe materiale të tjera: 1 kilogramë kanabis, 4 aparatë celularë, bidona, etj.
Nga kontrolli në banesën e shtetasit me iniciale A.E janë gjetur gjithashtu edhe 1 kilogramë kanabis sativa.
Njoftim zyrtar:
Policia vë në pranga 3 shtetas pasi kanë tentuar të vjedhin karburant në një firmë ndërtimi.
Seksioni i Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, ka arrestuar në flagrancë shtetasit:
Ç.Sh., 20 vjeç, banues në Selenicë.
A.E., 23 vjeç, banues në Vlorë.
A.B., 53 vjeç, banues në Selenicë.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, Policia ka bërë kapjen e këtyre shtetasve pasi kanë tentuar të vjedhin karburantin e mjeteve të firmës së ndërtimit që po kryejnë punime në BayPass-in e Kaninës.
Menjëherë, pas kontrollit të ushtruar nëpër banesat e tyre, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 1 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa në banesën e shtetasit A.E.
Gjithashtu, Policia ka bllokuar dhe sekuestruar automjetin me të cilin do të bëhej transporti i karburantit, si dhe materiale të tjera: 1 kilogramë kanabis, 4 aparatë celularë, bidona, etj.
Materialet iu referuan prokurorisë për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim në ngarkim të secilit dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit A.E.