Vijon tashmë prej 4 orësh seanca në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e Apelit Rudina Hajdari, ndërsa ajo po përballet me probleme të shumta me pasurinë dhe me pastërtinë e figurës, pas refuzimit të vizës amerikane.
Vetë Hajdari është shprehur se në vitet për të cilat pretendon KPK se ka pasur parregullsi, ka pasur probleme të mëdhaja me informalitetin, çka ia ka vështirësuar edhe procesin e gjetjes së dokumenteve.
Ndërkohë që thumbues ka qenë dhe reagimi i përfaqësuesit të OMN-së Theo Jacobs, i cili është shprehur se nuk gjen kuptim në disa lëvizje të pasurisë së Hajdarit, që duhet thënë shkon në disa qindra mijëra euro.
“Pse dikush merr kredi në 2007-tën dhe keni firmosur kontratën në 2009? Pse e keni marrë kredin para se të nënshkruani kontratën e qerasë. Pse dy biznësmën do shpenzojnë 160 mijë euro për një biznes të dështuar kjo është pyetje pa shpjegim për mua?
Pse këta biznesmen paguajnë kontributin e tyre, njëri 130 mijë dhe tjetri 70 mijë dhe pse është deklaruar si kursime familjare dhe pse nuk keni paguar taksat për shitjen e biznësit une mund të vazhdoja pafund me pset e mia dhe ka pafund pyetje që janë lënë pa përgjigjie?”, është shprehur kritik Jacobs.
Vetë Hajdari është shprehur se ka punuar gjatë gjithë kohës me ndershmëri, ndërkohë që avokati i saj mbrojtës Maks Haxhia tha se gjyqtaren e kanë ndihmuar shumë të gjithë, pas humbjes së bashkëshortit të saj.
“Unë kam plotësuar formularin dhe nuk kam pasur asnjë dijeni për revokimin e vizës. Pastërtisht e them që nuk më është refuzuar viza nga Ambasada Amerikane. I kam shkruar drejtuesit të ILDKPKI dhe i kam kërkuar shpjegim se si mund të më dëmtoj mua figurën me qëndrimin që kanë mbajtur. Kur më kanë thirrur në ambasadë kam kujtuar se më thirrin për vajzën, e cila ka jetuar dhe shkolluar prej vitesh. Kam ikur atje dhe më kanë mbajtur pasaportën.
Më vonë jam thirrur dhe më kanë komunikuar se më është revokuar viza pasi isha në proces vettingu. Prandaj, në lidhje me këtë kriter nuk mund të cilësohem e papastër nga ana figurës”, tha Hajdari gjatë seancës, kur sqaroi heqjen e vizës amerikane.
“Djali më shikonte në vështirësi dhe dëshironte të më ndihmonte. Ndërtesa që është sot 10 katëshe ka filluar si banesë për banim, por më vonë është kthyer në godinë të madhe.
Kemi përdorur para cash, nuk ka pasur karta, vetë ILDKPKI ka qenë informale, nuk na ka dërguar siç duhet formularët. Betohem para jush dhe para popullit që kam punuar me pastërti, pasi pavarësisht deklarimeve në kohë kam qenë e ndershme. Kam qenë vetja gjithmonë dhe nuk ka pasur askush asnjë ankesë për mua. Sot kohët kanë ndryshuar dhe deklarimet gjithashtu. Betohem se kam qenë një ndër gjyqtaret më të mira të Republikës së Shqipërisë.
Gjithçka kam thënë para jush është reale, vërtetova me gjithë ato që thash se deklarimi im është i saktë me ligjin, nuk kam mungesë të burimeve financiare, nuk kam kryer fshehje. Nuk kam kontakte të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar. Kërkoj riçeljen e hetimit nëse është kriter ligjor, në lidhje me aftësitë e mia profesionale. Nëse kjo kërkesë rrëzohet, kërkoj konfirmimin tim në detyrë pasi për të tre shtyllat jam e pastër”, ka thënë më tej gjyqtarja.
“Bashkëshorti, i ndjeri Azem Hajdari, ka ndikuar që miq dhe dashamirës të ndihmojnë familjen e tij, si ndjenjë morale për të ardhmen e fëmijëve. Gjithashtu edhe fëmijët kanë zhvilluar arsimim falas”, u shpreh nga ana e tij avokati Haxhia. (E.K/Faxweb.al)