Vijojnë kontrollet intensive të Policisë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në zona të pyllëzuara dhe të thella.
Si rezultat i hetimeve të ndjekura me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Komisariati i Policisë Tepelenë, Stacioni i Policisë Memaliaj dhe DVP Gjirokastër finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë dy vëllezër, I. D., 23 vjeç dhe A. D., 30 vjeç, banues në fshatin Luftinjë 1, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar 137 bimë narkotike Cannabis Sativa, në një zonë të pyllëzuar në lagjen “Likaj” të këtij fshati.
Bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies, nën mbikëqyrjen e strukturave policore.
Kontrollet në kuadër të planit operacional “Koordinata” vijojnë, me fokus evidentimin e rasteve të tjera të mundshme të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.