Mozaiku i Tiranës tashmë është transformuar tërësisht. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamjet e këtij transformimi duke njoftuar edhe përfundimin e punimeve në qendrën e re të Mozaikut të Tiranës, i cili tashmë është gati të hapë dyert për publikun.
Ky projekt unik do të sjellë më pranë qytetarëve dhe turistëve mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apollonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera.
Duke pasur parasysh se mozaikët origjinalë janë të ekspozuar ndaj rreziqeve atmosferike, Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një platformë që do të mundësojë ekspozimin e tyre në kushte optimale, me një grafik të mirëpërcaktuar vjetor.
Ky projekt është konceptuar si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët. Arkeologët thonë se këtu u ngrit një vilë romake që në shekullin III pas Krishtit. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.
Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian.