Nënkryetarja e Komisionit të Medias, Milva Ekonomi e ftuar në Faxnews ka folur për vendimin e AMA-s për të rikthyer sinjalet e sistemit të vjetër analog. Sipas Ekonomit dixhitalizimi është një proçes i pakthyeshëm tashmë dhe duhet patur kujdes me procesin, sepse shumë qytetarë nuk kanë informacionin e duhur.
“Unë mendoj që ishte një vendim i drejtë që mori AMA. Ndërkohë që dixhitalizimi është një vendim i marrë kaherë që nga viti 2013, ka përpjekje më të hershme sesa kaq. Hapa pas hapi kemi parë me kujdes si duhet të qasemi pranë familjeve. Ky proces vjen mënjëherë pas pushimeve, korriku dhe gushti nuk kanë shumë vëmendje për atë, mbase po të ishte bërë edhe pak më shumë përpjekje në fillim të shtatorit dhe se po afrohet koha e dixhitalizimit, do të ishte më mirë, por jo se ka munguar fushata.
Fakti që kanë disa qarqe që kanë qenë të sukseshme, tregon se fushata ka qenë prezente. Nevoja për kualidimin e sistemit ka qenë një domosdoshmëri, ata nuk janë gjëra që pilotohen në një biznes të vogël. Mendoj që kjo është një gjë e mirë që ndodh edhe për qytetarët edhe për transmetuesit. Ndërkohë nga ana tjetër fakti që ka më shumë stacione të lira, merr më shumë informacion, natyrisht që i shërben më shumë popullatës, të bëjë edhe ajo zgjedhjen e duhur për atë që duhet të shikojë. Televizioni po strukturohet dhe dixhitalizohet për më mirë. Unë kam besim te kjo gjë. Dixhitalizimi është një proces i pandalshëm, nuk ka kthim, halli të bëhet një proces i mirë”, tha ajo
Ndërkaq nënkryetarja e Komisionit të Medias, Milva Ekonomi nuk ka lënë edhe pa komentuar nismën më të re të qeverisë, atë të shpërndarjes së librave falas për fëmijët parashkollor. Ikonomi ka theksuar se kjo nismë i ndihmon jo vetëm fëmijët të edukohen duke menduar edhe për tjetrin, por edhe e afron prindërin me fëmijën.
“Librat falas kanë qenë një kërkesë shumë e rëndësishme e reformës në arsim. Duke ndjekur të gjithë kurrikulat, u bë një skemë e studimit bashkohore dhe u bënë edhe tekstet falas. I jep edhe fëmijëve ndjenjën e të menduarit për tjetrin. Gjithashtu afron prindërin me fëmijën”, tha ajo.