Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i ftuar në emsiionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ka folur për zgjedhjet në Kavajë dhe tërheqjen e kryeministrit Edi Rama dy ditë para tyre.
Sipas Xhafajt, ky është një vendim politik dhe nuk ka të bëjë me mosaftësinë e Policisë së Shtetit për ti menaxhuar.
“Vendimin lidhur me zgjedhjet në Kavajë nuk ka qenë i lidhur me një vendimarrje të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka qenë në krye të detyrës dhe në asnjë rast nuk ka deklaruar, apo nuk ka shprehur pamundësinë e saj për të siguruar zhvillimin normal të zgjedhjeve në Kavajë. Policia kishte marrë të gjitha masat për të kryer detyrat që i cakton Kodi Zgjedhor për rol mbështetës në proces dhe të ligjeve të tjera të vendit.
Sa i takon aspektit të funksioneve dhe të garancive që ofronte Policia e Shtetit, kam qenë i bindur që policia kishte të gjitha kapacitetet për të garantuar zgjedhjet në Kavajë dhe në gjithë territorin, ashtu si në 18 qershor.
Ky është një vendim politik i marrë nga Kryeministri në funksion të zgjidhjes së krizës politike në vend. Kryeministri me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje me PD. Kryeministri vendosi që zgjedhjet në Kavajë të mos zhvilloheshin duke tërhequr kandidatin e PS. E gjithë kjo ishte në funksion për t’u dhënë një mundësi negociatave, që për fat të keq nuk u shfrytëzuan, por u keqpërdorën nga drejtuesit e PD”, u deklaroi ministri Xhafaj.
Ndër të tjera, ministri i Brendshëm tha që ka patur informacione për disa organizime, grupe jashtë strukturave të PD, por nën ndikimin dhe organizimin e PD, që do të tentonin që të krijonin përplasje ditën e zgjedhjeve. (D.D/Shuplaka)