Rusia tha të mërkurën se po tërhiqte disa trupa të vendosura afër kufirit me Ukrainën, por NATO deklaroi se nuk po sheh shenja të një tërheqjeje.
Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në lindje, veri dhe jug të Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime se po planifikon një sulm.
Moska mohon se ka ndonjë plan të tillë dhe këtë javë tha se po tërhiqte disa forca dhe armë, megjithëse dha pak detaje.
Këto pretendime janë pritur me skepticizëm nga SHBA-ja dhe aleatët e saj – edhe pse dukej se ulën temperaturën pas javëve të përshkallëzimit të tensioneve Lindje-Perëndim.
Të mërkurën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video që tregon një ngarkesë treni me automjete të blinduara duke lëvizur nëpër një urë larg Krimesë, gadishullit të Detit të Zi që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Një ditë më parë, ministria raportoi fillimin e një tërheqjeje të trupave pas stërvitjeve ushtarake pranë Ukrainës.
Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se organizata ushtarake nuk sheh asnjë shenjë se Moska po ul nivelin e trupave të saj në Ukrainë dhe rreth saj.
“Për momentin, ne nuk kemi parë ndonjë tërheqje të forcave ruse,” tha ai, përpara se të kryesonte një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.
REL