Policia e shtetit ka vënë në pranga shtetasin Muharrem Zilija, i cili dyshohet se ka kërcënuar me jetë drejtorin e burgjeve Agim Ismaili.
Arrestimi i tij është bërë me vendim të gjykatës së Tiranës, ndërsa mbi Zilijan rëndon akuza e kanosjes dhe keqpërdorimit të thirrjeve telefonike.
Teksti i mesazhit, për të cilën i arrestuari akuzohet se i dërgoi drejtorit të Burgjeve është “Të kemi çuar fjalë me njerëz dhe duhet të tërhiqesh, ndryshe ke për ta pësuar keq ti dhe familja jote” .
Muharrem Zilija dyshohet se është shtyrë nga një grup kriminal për kërcënimin e Agim Ismailit. Tashmë pritet që shumë shpejt Zilija të dalë para gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.
I arrestuari rezulton i dënuar më parë për shpërndarje drogë në Tiranë. Autori mësohet se nuk ka pasur asnjë konflikt me Ismailin, pasi dënimin në burg e ka kryer para se ky i fundit të bëhej drejtor i burgjeve. Zilija dyshohet se është shtyrë nga një grup i rrezikshëm kriminal.
(E.K/Faxweb.al)