Të paktën 12 persona raportohen se kanë humbur jetën nga tërmeti 6.4 ballë që goditi ditën e sotme vendin dhe kryesisht qytetin e Durrësit.
Ndërkohë burime bëjnë me dije se është nxjerrë nga rrënojat tek zona e Kalvishencës në Durrës edhe efektivi Baram Hajdarmetaj, i cili është nxjerrë nga kolegët e tij.
Baram Hajdarmetaj ishte pedagog në Akademinë e Sigurisë në Durrës.
Burime nga Urgjenca Kombëtare njoftojnë se derimë tani janë 13 të vdekur si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.4 dhe me intesitet rreth 9 ballë, që shkundi mëngjesin e sotëm Shqipërinë.
Viktimat janë nxjerrë nga rrënojat në zonën e Thumanës, në Durrës, dhe në Kurbin. Ndërkohë që po punohet ende për të nxjerrë qytetarë të tjerë nga rrënojat, çka bën që numri i viktimave të rritet në orët në vijim.
Në zonën e Kënetës në Durrës, 7 anëtarë të një familje ndodhen nën rrënoja, ndërkohë që në Thumanë po ashtu raportohet për katër anëtarë të një familje që ndodhen në gërmadha.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në Facebook, shprehet se 28 persona janë nxjerrë nga gërmadhat.
Mes personave të vdekur raportohet edhe një fëmijë 6-vjeçar.
(M.Q/Faxweb.al)