Ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet në provincën Aceh në Indonezi, pas tërmetit që ndodhi ditën e djeshme ku i kushtoi jetën të paktën 102 njerëzve. Tërmeti me magnitudë prej 6,5 ballësh shembi me qindra ndërtesa dhe ende shumë njerëz janë nën rrënoja dhe shpresat se ata mund të jenë gjallë janë të pakta.
Mijëra njerëz që shpëtuan nga ky tërmet janë strehuar në qendra dhe kampe emergjence. Qeveria indoneziane ka shpallur gjendjen e jashtëzokonshme dhe ka bërë me dije se do të ndihmojë zonat e dëmtura.
Për vetë autoritetet lokale kjo është një gjendje e papërballueshme. Sipas tyre, shumë njerëz në Aceh kanë nevojë për gjëra bazë si ushqime dhe ujë. Po kështu edhe Kryqi i Kuq indonezian ka nisur dërgimin e ndihmave në zonë.
Në këtë situatë është mobiliziar edhe ushtria, me operacione të kërkim-shpëtimit dhe sidomos ndërtimit të kampeve të emergjencës, pasi shumë njerëz kanë frikë të kthehen në shtëpi. Një frikë e madhe është edhe nga autoritetet se mund të ketë edhe lëkundje dytësore, të cilat mund të shkaktojnë tusnamit. Shumë prej njerëzve të strehuar në qendrat e emergjencës thanë se tërmeti i së mërkurës ishte më i fortë se ai i vitit 2004, prandaj pa u siguruar se nuk ka rrezik, nuk do të kthehen në shtëpitë e tyre.