Më shumë se 100 persona raportohen të vdekur, si pasojë e tërmetit që goditi dje Meksikën, ndërsa numri i tyre pritet të rritet akoma më shumë.
Gjithashtu, mbi 40 ndërtesa janë shëmbur në kryeqytet, Mexico City, dhe grupet e shpëtimit po punojnë intensivisht për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nën rrënoja.
Raportohet se shumica e viktimave janë nga shtetet e Morelos dhe Pueblas, plot 80, ndërsa 30 të tjerë kanë humbur jetën në kryeqytet.
Presidenti meksikan, Enrique Nieto i ka bërë thirrje njerëzve që të shmangin grumbillimet nëpër rrugë, me qëllim që grupet e emergjencave të lëvizin më lirshëm, në zonat më të prekura.
Lëkundja sizmike goditi vetëm pak orë pasi shumë njerëz morën pjesë në përgatitjet anembanë kombit për të shënuar përvjetorin e një tjetër tërmeti shkatërrimtar që shkaktoi mijëra të vdekur në Mexico City në vitin 1985.
Tërmeti i sotëm e kishte epiqendrën 8 km në juglindje të Atencingos, në qytetin-shtet të Pueblës, me një thellësi prej 51 km, sipas Shërbimit Gjeologjik amerikan, ndërsa Agjencia Sizmiologjike e Meksikës përllogariti magnitudën fillestare në 6.8.
Ndërkohë, më herët gjatë këtij muaji, një tërmet me magnitudë 8.1 goditi Meksikën, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 98 personave.
Discussion about this post