Profesori i Inxhinierisë së Ndërtimit, Agim Seranaj, i cili u bë i njohur duke folur në media për godinat e dëmtuara nga termeti, është shkarkuar nga detyra si zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierë së Ndërtimit. Lajmi fillimisht u postua në facebook nga Sali Berisha, i cili shprehet se Seranaj u shkarkua se “tha të vertetën për termetin dhe dëmet e tij”
Seranaj ka konfirmuar së fundmi për abcnews se është shkarkuar nga detyra pa ndonjë motivacion. Firmën e ka hedhur dekani i këtij fakulteti Neritan Shkodrani (dokumenti më poshtë).
Çfarë denoncoi profesor Seranaj
Në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, pak ditë pas termetit ai do të shprehej se ka inspektuar zonat e dëmtuara në Spitallë të Durrësit, ku fatkeqësisht ka patur dëmtime edhe në pallatet me shumë kate. Që në krye të herës, Seranaj tha se duhet bërë kategorizim i saktë për banesat, sipas dëmeve që ato kanë.
Por ajo ç’ka do ti kushtonte më shumë profesor Seranajt duket se ka qënë ballafaqimi në “Opinion” me zv/ministrin Artan Shkreli, ku u shpreh se institucionet nuk kanë nxjerr një formular të unifikuar për vlerësimin e dëmeve.
“Objektet që po ndërhyjnë për ti bërë më shpejtësi, nuk duhen bërë në mënyrë partizance. Institucionet më parë duhet të kishin nxjerrë një formular të unifikuar. Këtu kemi 5 formularë të ndryshëm që janë bërë nga grupet e punës me të dhëna kontradiktore. Pra çfarë ka shkruar një grup inspektues nuk e ka shkruar një tjeter në akt-konstatim. Pra, ka konkluzione kontradiktore për objektet e dëmtuara nga termeti”, u shpreh Seranaj.