Buxhetet e vogla përballë çmimeve të larta të tregut, paragjykimi si qiraxhinj afatshkurtër dhe konkurrenca nga studentët e huaj i vendos qindra studentë të zonave të ndryshme të vendit në vështirësi të shumta për strehim në Tiranë.
Jetesa në Qytetin Studenti nuk ka qenë asnjëherë e thjeshtë për mijëra të rinj nga rrethet që kryejnë studimet universitare në Tiranë, por tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit e rëndoi edhe më tej situatën. Disa godina u shkatërruan, ndërsa banorët e tyre u transferuan në dhomat e vogla të godinave fqinje, duke e shtuar mbipopullimin.
Studentë të tjerë u larguan në kërkim të kushteve më të mira në shtëpi me qira. Por gjetja e një shtëpie në Tiranë është një sfidë më vete për qindra studentë të rretheve të tjera.
“Në konvikt dhomat janë aq të vogla, sa kishte filluar ai mentaliteti ‘fiton më i shpejti” për të gjetur një hapësirë të lirë për të vendosur sendet personale,” thotë Fjora nga Fieri, studente e Gazetarisë. “Duke mos llogaritur që nëse vendosnim të 4-ta shoqet njëherësh pajisjet në prizë, binte direkt automati,” shton ajo.
Fjora, 19 vjeç i tha BIRN se pas tërmetit gjeti një shtëpi me qira së bashku me dy shoqet e saj, por është ende e pakënaqur.
“Edhe në shtëpinë e re nuk kemi shumë hapësirë, por me shumë mundësi, sa ta mbaroj këtë vit do vihem në kërkim të një shtëpie tjetër,” shtoi ajo, duke pranuar se nuk po gjen stabilitet.
Buxheti i vogël në dispozicion të strehimit dhe çmimet e larta të tregut ua vështirësojnë zgjedhjet qindra studentëve nga zonat e ndryshme të Shqipërisë që studiojnë në Tiranë. Ata paragjykohen gjithashtu si qiraxhinj të paqëndrueshëm dhe afatshkurtër, duke i mbajtur ata jashtë tregut të pasurive të patundshme në Tiranë.
Rosela, 20 vjeç nga Korça studion në një universitet privat në zonën pranë aeroportit të Rinasit dhe gjetja e një shtëpie i kushtoi kërkime të gjata.
“Gjetëm një shtëpi me 1 dhome e 1 kuzhinë dhe flinim të treja në një dhomë të ndarë me perde. Pajisjet dhe mobiljet ishin tepër të vjetra e të përdorura dhe kur kërkuam t’i zëvendësonim me të reja, e zonja e shtëpisë nuk pranoi pasi tha se nuk kishte ku t’i çonte të vjetrat,” tregon vajza, e cila shton se njëra prej shoqeve studionte, tjetra flinte dhe së tretës i vinte dhe të qante për probleme të saj personale.
“Kjo është jetesa në grup me të cilën duhej të mësoheshim,” shton ajo.
Sfidat e studentëve për strehim pranohen edhe nga agjentët e pronave të patundshme në Tiranë, të cilët thonë se studentët i penalizojnë çmimet e larta të tregut në krahasim me buxhetin e tyre modest si dhe fakti që nuk janë qiramarrës të qëndrueshëm për pronarët e apartamenteve.
“Sipas vëzhgimeve tona, kjo vjen sepse në 3 muajt e verës të gjithë studentët largohen dhe e lënë shtëpinë, duke e ndërruar përsëri vitin tjetër dhe duke krijuar kështu një klient të paqëndrueshëm për qiradhënësit,” tha për BIRN Matilda Xhenuka, menaxhere e agjencisë imobiliare “Elite”.
Blerina Sefa nga agjencia imobiliare “Remax Albania” konstaton si problem kryesor mospërputhjen e çmimeve të tregut me buxhetin e studentëve për strehim. Sefa shton gjithashtu se studentët paragjykohen edhe nga pronarët e shtëpive, të cilët preferojnë klientë familjarë.
“Sigurisht, ne u gjejmë dhe ambiente me këto çmime, por vendndodhja e tyre është shumë larg në krahasim me universitetet e tyre, afër të cilave ato kërkojnë të gjejnë shtëpi,” thotë Sefa.
Një tjetër pengesë, sipas agjencive imobiliare është edhe shtimi i studentëve të huaj në Tiranë.
” Me kuotat e studentëve shqiptarë është pak e vështirë të gjesh diçka, pasi tani tregu po zihet edhe nga studentët e huaj, sidomos ato italianë, që janë gati të paguajnë më shumë dhe që kanë një qëndrim më afatgjatë,” tha Xhenuka nga agjencia “Elite”.
Ndërsa pothuajse të gjithë studentët përballen me probleme të ngjashme, kategoria e djemve vuan paragjykim më të lartë dhe ka më pak zgjedhje në dispozicion.
Raildi, 19 vjeç, student i fakultetit Ekonomik i ardhur nga Pogradeci, shpjegon se e vetmja zgjidhje për të dhe shokët e tij ishte të merrnin shtëpinë e parë që arritën të gjenin.
“Të them të drejtën, ne morëm shtëpinë e parë që gjetëm të gatshme, pasi një pjesë e shtëpive që kishim gjetur, sapo e shihnim që ishim vetëm çuna, na e anulonin dhe thonin se shtëpia ishte dhënë,” tregon Realdi.
“Shtëpia ndodhet relativisht larg, në zonën e Saukut, dhe nuk kemi shumë markete apo farmaci afër. Por nuk na ngeli zgjidhje tjetër. Në fillim ishim 5 djem, tani kemi ngelur 2, pasi të tjerët kanë lëvizur në shtëpi të tjera,” shton ai.
Ngjashëm, Andrea, student i vitit të parë në Universitetin Politeknik thotë se ai nuk ka mundur të gjejë një shtëpi me çmim të arsyeshëm, që pas ditës së tërmetit fatal të 26 Nëntorit, kur u largua me dëshirë nga konvikti.
“Që më 26 Nëntor, natën që ra tërmeti, jemi në ajër. Pasi ndërtesa jonë e konviktit pati dëmtime, na thanë që do na transferojnë në një godinë tjetër, por aty do detyrohesha të rrija me 9 persona të tjerë në dhomë, kështu unë vendosa të largohem dhe të kërkoja shtëpi me qira,” thotë Andrea.
Pas disa ditëve të kaluara në shtëpinë e tij në Pogradec, ai u bujt si mysafir në shtëpinë e shokëve, të cilët u ofruan për ta mbajtur disa ditë në shtëpinë e tyre. Pas dy muajsh kërkime për shtëpi, ai ndodhet ende në shtëpinë e shokëve.
“Jemi 6 çuna që jetojmë në një shtëpi. Kur gjejmë ndonjë shtëpi me çmim të arsyeshëm për të marrë me qira, përsëri nuk na ecën mbarë pasi pronarët e kanë me merak të fusin në shtëpi grupe çunash. Edhe në shumë lajmërime që shohim, e kanë të specifikuar që lejojnë vetëm vajza ose familjarë,” shton Andrea.
Jetesa në grupe të mëdha është zakonisht zgjidhja e vetme për të ndarë shpenzimet e qerasë, por sipas agjentëve imobiliarë, ky është edhe një disavantazh për studentët.
“Kur mësojnë se shtëpinë do e marrin studentë, ideja e tyre është se aty do ketë party çdo natë,” thotë Blerina Sefa duke iu referuar pronarëve të shtëpive.
Rosela nga Korça pranon se mënyra e ndryshme e jetesës ia kishte bërë të padurueshme jetesën në të njëjtin oborr me pronarët e shtëpisë.
“Po të vije pas orës 22.00, pronarët që jetonin në të njëjtin oborr e mbyllnin me çelës derën e oborrit, duke na lënë jashtë, pasi nuk na kishin dhënë një çelës të derës kryesore të jashtme. Ata donin të kishin nën kontroll kush dilte e hynte dhe në çfarë oraresh,” tregon studentja.
“Shpeshherë kontrolli në lidhje me jetën tonë ishte i tepërt, pasi përderisa ne plotësonim detyrimet e qirasë dhe mirëmbajtjes, të tjerat ishin të tepërta,” përfundon ajo.