Zyrtarizimi nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i nisjes së procesit të vetingut edhe në radhët e Policisë së Shtetit ka krijuar pritshmëri të ndryshme mes njohësve të fushës së rendit, të cilët argumentojnë se suksesi i kësaj nisme do të varet nga goditja e atyre që lejuan kanabizimin e vendit.
Tre ditë pas marrjes së detyrës, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj firmosi urdhrin për nisjen e procesit të vetingut edhe në radhët e Policisë së Shtetit.
Sipas urdhrit që sanksionon ngritjen e një grupi pune, procesi i vetingut pritet të përfshijë verifikimin e pastërtisë së figurës, të pasurisë dhe aftësive profesionale për çdo punonjës të Policisë, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, SHÇBA.
Nisja e procesit të vetingut në Polici, paralelisht me atë të prokurorëve dhe gjyqtarëve ishte lajmëruar më herët nga ministri Xhafaj si një ndër prioritetet e tij kryesore në krye të Ministrisë së Brendshme.
“Nuk mund të ketë sukses, kur në radhët e Policisë së Shtetit ka kriminelë që shpesh mund të jenë më të rrezikshëm se sa vetë kriminelët,” deklaroi ai në fjalën e tij të parë në Parlament pak ditë më parë.
Gjatë 4 viteve të shkuara, drejtues të lartë të policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme u targetuan vazhdimisht nga Partia Demokratike në opozitë, e cila i akuzoi ata për implikim në përhapjen e kutivimit të kanabisit apo bashkëpunim me krimin e organizuar.
Ndonëse akuzat politike nuk u mbështetën shpesh me prova apo hetime të Prokurorisë, ato vunë në diskutim imazhin e Policisë së Shtetit dhe rolin e saj si një institucion i depolitizuar.
Ndryshe nga kupola drejtuese e policisë, punonjësit e policisë së rangjeve më të ulëta janë bërë shpesh objekt i hetimeve dhe arrestimeve për implikim në veprimtari të dyshuara kriminale.
Vetëm gjatë vitit 2016, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka referuar në prokurori 160 kallëzime penale për punonjësit e policisë që dyshohet se kanë kryer elementë të veprave penale. Ndërsa 57 punonjës policie u arrestuan në flagrancë në të njëjtin vit, mes të cilëve 6 punonjës të nivelit të parë drejtues, 36 punonjës policie niveli zbatues, 2 efektivë të Gardës, 2 efektivë të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe 11 shtetas të ndryshëm.
Ardi Bita, këshilltar për Median dhe Publikun në Ministrinë e Brendshme i tha BIRN se i njëjti trend ndëshkimi ka vazhduar edhe në 2017-n. Sipas tij, përgjatë nëntë muajve të këtij viti janë arrestuar 46 persona, nga të cilat 8 shtetas dhe 38 punonjës policie.
Rasti më i fundit ishte ai i efektivit Engrid Hënaj nga skuadra “Shqiponja”, që sipas vendimit të Gjykatës për “masën e arrestit”, informonte dhe këshillonte vazhdimisht një person të shpallur në kërkim në Kavajë se si të mbyllte çështjen e tij.
Sipas urdhrit të ministrit Xhafaj, procesi i vetingut në Polici do të paraprihet nga një analizë e gjendjes aktuale dhe një paketë ligjore, e cila është premtuar të jetë gati në fund të vitit. Sipas tij, i gjithë ky proces do të asistohet nga misioni “Pameca V” i Bashkimit Europian dhe ai ICITAP i Shteteve të Bashkuara për të “ndihmuar në zhvillimin e një proces teknik sa më profesional, transparent dhe të besueshëm”.
Megjithatë, vendimi i Xhafajt ka krijuar pritshmëri të ndryshme sa i përket pastrimit të policisë nga elementët e inkriminuar përmes këtij procesi.
Ish-ministri i Brendshëm i katër muajve të fundit, Dritan Demiraj, i cili u ngjit në atë post si propozim i Partisë Demokratike pas marrëveshjes për zgjedhjet, e mirëpret këtë nismë. Por ai thekson se rezultate mund të ketë vetëm nëse vetiungu bëhët në mënyrë të ndershme.
“Kjo është një nismë shumë e mirë, e cila bëhet në një moment deçiziv dhe shumë të rëndësishëm në kuadrin e luftës kundër kanabisit, drogave të forta dhe luftës kundër korrupsionit. …por është shumë e rëndësishme që ajo [Policia] të pastrojë nga radhët e saj personat të cilët lejuan kanabizimin e pothuajse të gjithë Shqipërisë,” tha Demiraj për BIRN.
“Nëse kjo nismë do të realizohet në mënyrë të ndershme, jam shumë i sigurt se do të ikin shumë punonjës policie nga të gjitha nivelet e drejtimit të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë aktivitet kriminal,” shtoi ai.
Ndryshe nga Demiraj, Osman Levanaku-një ish-drejtues policie i përjashtuar në vitin 2014 shpreh mosbesim ndaj nismës së ministrit të Brendshëm, duke e quajtur atë “propagandë që bëhet me qëllimin e një tjetër vale shkarkimesh në radhët e Policisë së Shtetit”.
“…Vetingu mes rradhëve të policisë duhet të nisë fillimisht nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori aktual Haki Çako dhe më pas të shtrihet imtësisht në drejtorat e policisë, shefa komisariate e specialist hetimi. Janë të gjithë me tre-katër shtëpia dhe dyqane,” thotë ai.
Ish-drejtuesi i policisë, Levanaku hedh dyshime se vetingu mund të ketë lidhje me faktin që Partia Socialiste është tashmë e vetme në pushtet.
“Kuptohet që qëllimi nuk është vetëm për ata punonjës policie që janë të implikuar me krimin apo që nuk justifikojnë pasurinë, por edhe për të hequr një herë e mirë ata që nuk dëshirojnë…,” shton Levanaku.
Argumenti i Levanakut nuk mbështetet nga ish-ministri Demiraj, i cili mendon se nisma për vetingun nuk ka lidhje me spastrime të reja politike nga Policia e Shtetit. Ai shton se Partia Socialiste largoi me qindra punonjës policie kur erdhi në pushtet në vitin 2013, me një kosto sipas tij të madhe ekonomike dhe sociale.
Megjithatë, Demiraj ngre me shqetësim problemin e politizimit të Policisë së Shtetit, për të cilën thotë se janë bërë hapa pas.
“…Gjatë kohës time në Ministrinë e Punëve të Brendshme, padyshim vlerësoj punën shumë të mirë të shumicës së policisë të cilat janë gjithë kohës në krye të detyrës, por më duhet të them që policia shqiptare është shumë e politizuar, ka nevojë që të rrisë profesionalizmin dhe performance,” tha Demiraj për BIRN.
Nisma për skanimin e të gjithë punonjësve të policisë ka bërë jehonë edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila heton rastet e korrupsionit në radhët e zyrtarëve. Një prokur, i cili ka mbi tavolinën e punës hetimin e dy punonjësve të policisë që dyshohet se janë implikuar në kultivimin e kanabisit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se vetingu i Policisë së Shtetit është i domosdoshëm.
“Sot kemi shefa komisariatesh dhe specialistë sektorësh në polici që janë vënë në shërbim të krimit, duke i dhënë garanci se nuk do preken fizikisht, por dhe s’do i dëmtohen parcelat me drogë. Në disa raste është dokumentuar se këta shefa në Vlorë dhe Tepelenë, janë vetë kultivues të drogës, pasi nëpërmjet detyrës së tyre, investojnë njerëz që të mbjellin sipërfaqe droge, për llogari e qëllimet e veta,” tha prokurori i Krimeve të Rënda.
Prokurori u sugjeron strukturave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme apo drejtuesve të policisë që të mbajnë në monitorim të vazhdueshëm punonjësit e caktuar me detyra shërbimi në zona me risk të lartë të kultivimit të drogës, pasi sipas tij, “mundësia e implikimit të tyre dhe bërja palë me krimin është shumë e madhe”.
Edhe për ish-ministrin Demiraj, procesi i vetingut do të duhej të vendosë në epiqendër të tij efektivët që u implikuan apo lejuan fenomenin e kanabisit, që dëmtoi imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Gjatë kohës që shërbeva si ministër i Punëve të Brendshme kam parë me sytë e mi dhjetra punonjës të ndershëm policie…, por në këtë korpus ka dhe struktura të cilat kanë qenë në bashkëpunim me kriminelë dhe grupe të fuqishme kriminale, të cilët në bashkëpunim me ta lejuan këtë veprimtari…,” përfundon Demiraj./ BIRN