Ndërsa 87 vende të botës rezultojnë të prekur nga virusi i rrezikshëm COVID 19, në Shqipëri ende zyrtarisht nuk ka asnjë të infektuar.
Sipas komunikimit të përditshëm nga Task-force e ngritur për këtë çështje, në 24 orët e fundit ISHP ka testuar 3 persona të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negativ.
Eugena Tomini, pjesë e kësaj Task Force, në një komunikim për mediat u shpreh se janë testuar 54 të dyshuar, pa asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus. Sipas saj 3 persona me simptoma të dyshuara për inveksionin COVID 19 janë testuar gjatë 24 orëshit të fundit duke rezultuar të paprekur nga infeksioni viral.
Ajo gjithashtu ka këshilluar se të gjithë pasagjerët që kanë udhëtuar në zonat e prekura të vetëkarantinohen 2 javë për të shmangur mundësinë e infektimit të personave të tjerë ndërsa mund të jenë bartës të virusit.
Në të gjithë botën sipas OBSH-së janë prekur gati 100 mijë persona ndërsa kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve 3381 prej tyre.
Njoftimi i plotw i Ministrisë së Shëndetësisë:
Deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të koronavirusit COVID-19.
Në komunikimin e përditshëm të Task-Forcës në Ministrinë e Shëndetësisë, konfirmohet se janë testuar 3 raste të dyshuara, të cilët kanë rezultuar negative.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 3 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP nga ku në total numri i rasteve të tesuara ka shkuar në 53. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit te ri”, tha Tomini.
Në vijimësi po kryhet survjeanca e përforcuar në pikat kufitare, ajore, detare dhe tokësore duke kryer monitorimin e temperaturës për të gjithë udhëtaret që hyjnë në Republikën e Shqipërisë.
“ Në 24 orët e fundit në te gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 17,770 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperatures”, tha përfaqësuesja e Task Forcës.
Në 24 orët e fundit në nr. 127 ka patur 1539 thirrje, nga të cilat 38 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për qytetarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kane patur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhe 14 ditore.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon që qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral: temperaturë, kollë, rrufë dhe vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë numrin unik 127 të Urgjencës Kombëtare, për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë në situata të ndryshme shëndetësore. (B.S/Faxweb.al)
Discussion about this post