Teuta ka mposhtur sërish kampionët e Tiranës me rezultatin 2-1 në finalen e Superkupës së vendit. Fituesja e kampionatit dhe fituesja e Kupës zhvilluan një ndeshje mjaft të bukur në “Elbasan Arena”. Të dy ekipet donin ta fitonin sfidën, por në fund ishin djem të e Edi Martinit që morën trofeun.
Durrsakët shënuan me fat në minutën e 21′ pas një gabimi të Ilion Likës. Portieri nuk kontrolloi si duhet një top nga distanca dhe i dhuroi sferën Hebajt që nuk gaboi për 1-0. Ishte sërish shkodrani që dërgoi topin në rrjetë për 2-0.
Teuta fitoi penallti, e cila u gjuajt nga Lorenc Vila. Portieri Lika priti goditjen e lojtarit durrsak, por sfera shkoi te Hebaj dhe ky i fundit e dërgoi në rrjetë. Teuta e mbylli pjesën e parë me rezultatin 2-0.
Tirana u mundua të reagonte në pjesën e dytë dhe e rriti nivelin. Bardheblutë rritën rrezikun te porta e Frashërit dhe ngushtuan diferencat në minutën e 75′ me Vrapin. I riu i dha shpresë kampionëve, por deri në fund nuk arritën të barazonin, pavarësisht se luajtën me një lojtar më shumë pas daljes me të kuqe të Arapit në minutën e 64′. 25 herë kampionët e vendit janë të shqetësuar dhe për kapitenin Idriz Batha. Mesfushori la fushën mes dhimbjeve, duke çaluar.