Në një moment që kriza politike në vend është përherë e më e polarizuar tezat për daljen nga kjo situatë janë nga më të ndryshmet.
Mentor Nazarko në një shkrim të tijin në ‘Konica.al’ hedh idenë e një koalicioni të gjerë mes PS-së dhe PD-së.
Sipas tij në këtë rast ai që do të dilte i fituar do të ishte interesi kombëtar dhe se palët do të mund të kombinoheshin mes tyre. Nazarko vijon më tej duke thënë se kjo nuk është një përvojë vetëm shqiptare.
”LSI e ka provuar me seicilën prej tyre dhe ajo është dëshmia më e mirë se nuk janë aq të këqia sa duken kur ndërron kahje, pra se tabutë janë të mundshme.
LSI mund të shqetësohet nga një koalicion i tillë, por nëse ka vërtet energji qeverisëse le të imponojë burimet e saj brenda këtij koalicioni”, shkruan ndër të tjera Nazarko.
SHKRIMI I PLOTË I MENTOR NAZARKOS:
Ideja që ne hodhëm për një koalicion me bazë të gjerë, PS-PD, shto partitë e tjera që do të dëshironin, krijoi reagime të mëdha, në rrjetet sociale. Një pjesë e madhe e inkurajonin idenë, një pjesë tjetër ishin kritikë, pikërisht mbi bazën e pikëpamjeve të vjetra që ky model koalicioni merr përsipër të kapërcejë.
Ideja e një koalicioni të madh është një ide e madhe dhe afërmendsh që ka nevojë të përsoset, të zhvillohet më tej, të rishikohet në mënyrë kritike, edhe nisur nga reagimet popullore. Por para së gjithash kjo që propozohet nuk është shpikje shqiptare.. Është eksperiencë e provuar në vende që funksionojnë mirë, si Gjermania, Kroacia, e nëse doni dhe Kosova. Kosova ka dalë pak vite më parë nga një luftë e egër ndëretnike, por dhe nga shumë raste vrasjesh, eleminimesh politike midis palëve partiake të shqiptarëve dhe sot dominohet nga një paqe sociale e qëndrueshme. Garanci e saj janë dhe ndërkombëtarët, por mbi të gjitha është pjekuria e popullit shqiptar atje.
Shqiptarët ditën të kapërcejnë në Kosovë, plagën e egër të hakmarrjes, falë veprës së Anton Çetës dhe të tjerëve, por dhe sot kanë arritur diçka të madhe. Në bankat e parlamentit, në një koalicion të përbashkët janë njerëz të cilët kanë prindër të vrarë nga individë të palës tjetër shqiptare gjithashtu me të cilën po qeverisin vendin. Kosova mund të ketë probleme të tjera, që lidhen me paaftsinë e klasës drejtuese për të qeverisur, mungesën e eksperiencës shtetbërëse, shtetndërtuese, arësimin e dobët, në të gjithë nivelet, kulturën klanike apo regjionale, fuqinë e madhe të klerit si qendër pushteti, etj, etj. Por problemet nuk vijnë prej koalicionit të partive të mëdha : opozita atje funksionon dhe nëse është e coptuar kjo nuk vjen prej koalicionit qeverisës në vetëvete.
Opozitarizmi është një nevojë fiziologjike dhe si e tillë, organizmi politik e shoqëror do ta krijojë me çdo kusht. Mund të krijohen parti të reja të mëdha, mund të fuqizohen partitë e vogla që kemi, sepse gjithmonë do të ketë njerëz që kundërshtojnë një prirje të caktuar. Mund të kemi dhe shkatërrim të partive të mëdha, por organizmi ynë politik do të gjenerojë subjekte të reja. Nuk është fundi i pluralizmit, përkundrazi çlirimi i pluralizmit nga pengjet e krijuara prej ndonjë marrëveshje katoviciane, nëse ajo ka ekzistuar ndonjëherë.
Interesi publik, busulla e një hapi epokal
Ka vetëm një interes mbi bazën e të cilit ne propozojmë këtë koalicion dhe mbi bazën e të cilit ai duhet të ngrihet :interesi publik, interesi kombëtar.
Kur ne themi koalicion të madh, ne flasim për tabunë, dmth për koalicionin mes PS dhe PD. LSI e ka provuar me seicilën prej tyre dhe ajo është dëshmia më e mirë se nuk janë aq të këqia sa duken kur ndërron kahje, pra se tabutë janë të mundshme. LSI mund të shqetësohet nga një koalicion i tillë, por nëse ka vërtet energji qeverisëse le të imponojë burimet e saj brenda këtij koalicioni. Nëse don të ruajë autonominë e vet, profilin e vet, ka një hapësirë të madhe para vetes : të bëjë opozitën dhe është e favorizuar në raport me çdo subjekt tjetër, pse është e organizuar shumë mirë në territor.
Koalicioni i madh, në të vërtetë mund të paraprihet nëse doni nga e ashtuquajtura qeveri teknike, që është realisht paradhoma e saj. Nëse PD nuk e ka kërkesë për sy e faqe, kërkesën për qeveri teknike, atëherë testi i paradhomës do të jetë shërbimi për këtë ide të madhe.
Një koalicion i madh politik në Shqipëri midis dy partive më të mëdha do të ishte një goditje e madhe për partitizmin në vend. Sot jeta jonë publike dominohet nga partitë. Ato organizojnë kongrese, konferenca vendore, konferenca liderësh, zëdhënësesh viktima të kotësisë së tyre dhe ambicies së shfrenuar për karrierë të shpejtë, që helmojnë jetën tonë sociale, nxisin armiqësinë mes qytetarëve, familjeve, fiseve, individëve, dhe bizneseve. Koalicioni nëpërmjet heshtjes së debatit të egër, debatit të simuluar, do të kontribuonte në zhvendosjen e qendrës së jetës sonë publike nga partitë tek institucionet. Me një fjalë kalim drejt një modeli amerikan, ku partitë kanë rëndësi vetëm në periudhë zgjedhjesh dhe jo gjatë periudhave normale mes tyre. Ekonomia,zhvillimi ekonomik, interesi i qytetarëve do qendërzohej dhe jo ai i tufave të zgjedhësve.
Dobësimi i rolit të partive në jetën tonë publike nuk do të thotë vetëm fuqizim i zërit të institucioneve, por dhe zvogëlim i ndikimit të tyre në administratë. Shkoni dhe shikoni Kosovën, sesa e qëndrueshme është administrata publike : mund të jetë e dobët, por ama nuk lëviz sa herë ka zgjedhje. Zgjedhjet zhvillohen, rinumërohen votat, rezultati pranohet shumë më qetësisht sesa ne. A vjen kjo, prej kulturës demokratike më të zhvilluar ?Nëse po, pikërisht edhe koalicioni ka imponuar një kulturë demokratike më të zhvilluar. Komisioni i zgjedhjeve, është formuar nga përfaqësues të gjitha partive, dhe nuk komandohet nga partitë më të mëdha si ndodh tek ne.
Koalicioni me bazë të gjerë do të impononte një paqe sociale në shumë plane. Do kishte më shumë qetësi për të kuptuar më mirë historinë tonë të luftës, të komunizmit, apo historinë tonë të afërt. Nuk do të kishte aq shumë helm që do emetohej nga mediumet publike dhe private. Drejtësia do të ishte më e çliruar nga ndikimet sektoriale partiake dhe do të kishte referenca ligjore, apo në rastin më të keq interesash privatë.
Koalicioni me bazë të gjerë, me siguri ka shumë anë të dobëta, por ato janë më pak sesa anët e mira. Ka shumë pikëpyetje për rrugët sesi arrihet deri tek ai, por fshati që duket nuk don kallauz. (E.K/SHUPLAKA)

Discussion about this post